Forumi Evropian Alpbach (EFA) ka hapur periudhën e aplikimeve për bursa për edicionin e këtij viti, i cili do të mbahet nga 16 deri më 29 gusht 2025 në Alpbach të Austrisë. Aplikimet janë të hapura nga 3 deri më 25 mars 2025.
EFA është një konferencë vjetore që mbledh student dhe profesionist nga mbarë bota për të diskutuar aktualitete në fusha të ndryshme, duke përfshirë politikën, teknologjinë, ekonominë, drejtësinë dhe shëndetësinë publike. Këtë vit, tema kryesore është ‘Recharge Europe’, duke u fokusuar në rigjallërimin e potencialit të Evropës përmes inovacionit dhe bashkëpunimit.
Bursat e ofruara mbulojnë tarifën e pjesëmarrjes dhe akomodimin gjatë gjithë kohëzgjatjes së programit. Përfituesit e bursave do të marrin gjithashtu një pagesë ditore prej 25 eurosh. Shpenzimet e udhëtimit, kujdesi shëndetësor dhe sigurimi nuk janë të përfshira dhe duhet të mbulohen nga pjesëmarrësit.
Kriteret e aplikimit përfshijnë:
– Mosha ndërmjet 18 dhe 30 vjeç.
– Njohuri të gjuhës angleze në nivelin minimal B2, pasi gjuha kryesore e Forumit është anglishtja.
– Disponueshmëri për të marrë pjesë në Forum për të paktën njëmbëdhjetë ditë, duke përfshirë Ditët e Seminareve dhe Ditët e Evropës në Botë.
Në Kosovë, përfaqësuesi zyrtar i EFA është Club Alpbach Kosovo. Për më shumë informacion ose për mbështetje gjatë procesit të aplikimit, mund të kontaktoni email adresën: [email protected].