Diplomati kosovar në Francë, Shemsi Krasniqi, ka njoftuar se aktivistja kosovare, Shpresa Loshaj, është nderuar në Paris me çmimin për të Drejtat e Njeriut të Republikës së Francës.
Krasniqi ka treguar se Loshaj është aktiviste e njohur për mbrojtjen e Lumbardhit të Deçanit dhe themeluese e organizatës joqeveritare “Pishtarët”.

Ai ka thënë se me këtë çmim, Loshaj i bën nder e shërbim të madh vendit tonë.
“Ajo iu jep shpresë, motiv, guxim dhe mësim të gjithë qytetarëve të Kosovës se e drejta për ujë është e drejtë njerëzore, se mbrojtja e lumenjve është mbrojtje e jetës, mbrojtja e natyrës është mbrojtje e Tokës dhe botës në të cilën jetojmë”, ka shkruar diplomati kosovar në Francë.
Krasniqi ka thënë se kauza e aktivistes kosovare është kuptuar dhe vlerësuar drejt nga Franca, dhe se njashtu duhet të vlerësohet edhe nga Kosova.