Franca po voton në rundin e dytë të një nga zgjedhjet e saj më të rëndësishme në vite, me të djathtën ekstreme që shpreson për një fitore historike.
Kjo është hera e parë që “Tubimi Kombëtar” (RN, një pari kundër imigracionit e Marine Le Pen dhe Jordan Bardella, ka një shans real për të drejtuar qeverinë dhe për të marrë kontrollin e plotë të Asamblesë Kombëtare, raporton BBC.
Por pas fitores së RN-së në rundin e parë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dielën e kaluar, qindra kandidatë rivalë u larguan për t’u dhënë të tjerëve një shans më të mirë për të mposhtur të djathtën ekstreme.
Votimi këtë të diele filloi në orën 08:00 dhe sondazhet e para pritet të publikohen 12 orë më vonë.
Katër javë më parë, presidenti Emmanuel Macron ka thirrë zgjedhje të parakohshme duke thënë se ishte zgjidhja më e mirë në përgjigje të fitores së RN-së në zgjedhjet evropiane.
Zgjedhjet me dy runde u pranuan me habi në një vend që po përgatitej për fillimin e Lojërave Olimpike të Parisit, më 26 korrik. Siguria është rritur derisa rreth 30,000 policë janë vendosur për një periudhë tensioni të shtuar politik.
Ka frikë për shpërthim të dhunës në Paris dhe qytete të tjera franceze, pavarësisht nga rezultati i votimit, dhe një protestë e planifikuar jashtë Asamblesë Kombëtare të dielën në mbrëmje është ndaluar.