I njohur nga studiues të ndryshëm si “Françeskani i fundit”, apo edhe “Gega i fundit”, At Zef Pllumi, ishte prift Françeskan, i cili ia kushtoi një jetë të tërë binomit “Atme e Fe”, ide kjo e trashëguar nga çarku Françeskan i Shkodrës, e sidomos nga Gjergj Fishta i cili ishte edhe frymëzim për të. Ai lindi më 28 gusht të vitit 1924, në Malin e Rencit (Lorencit), në Shëngjin, në një familje me origjinë nga Shkreli.
At Zef Pllumi, ishte frat françeskan, publicist e shkrimtar. Ai u dënua dy herë nga sistemi komunist i Enver Hoxhës, herën e parë gjyqi i asaj kohe ia caktoi tri vjet burg, për t’u dënuar edhe një herë tjetër, kësaj here në vitin 1967 me 23 vite të tjera, që gjithsej bëjnë gati tri dekada privim nga liria. Pas daljes nga burgu në vitin 1989, filloi ta shkruajë librin autobiografik me titull, “Rrno vetëm për me tregue”.
Për këtë titull Zef Pllumi, ishte frymëzuar nga fjalët e At Marin Sirdanit, i cili, duke iu drejtuar atij i kishte thënë se dikush duhet të mbesë i gjallë të tregojë për të gjitha tmerret e përjetuara në sistemin komunist të asaj kohe.
“Edhe kta do t’desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurrgjâ në mos kjosh i zoti me bâ, rrno vetëm për me tregue. A e kupton shka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na, mbaron edhe ti: të gjithë shkojmë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallxue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallxojë!”, ishin fjalët e At Marin Sirdanit, drejtuar Zef Pllumit në fillim të ardhjes në pushtet të Enver Hoxhës.
Dhe Zef Pllumi e mbajti premtimin, ai jetoi për t’i treguar tmerret e përjetuara, vuajtjet jo vetëm të tijat por të një periudhe të tërë, duke u bërë dëshmi e gjallë e tmerrit komunist.
Në librin autobiografik, “Rrno vetëm për me tregue”, At Pllumi, shkruan histori duke u bazuar në kujtesën e tij e që shërben si dëshmi e një kohe totalitare. Ai ishte i mendimit që historia e komunizmit në Shqipëri nuk mund të shkruhet duke u bazuar në arkivat shtetërore, sepse, siç thotë edhe në librin e tij, arkivat shtetërore ishin të kontrolluara nga regjimi autoritar i Enver Hoxhës. Për të, vetëm historia e rrëfyer nga njerëz që e kanë përjetuar sistemin mund t’i afrohet së vërtetës.
Libri fillon me ngjarjet në fillim të vendosjes në pushtet të komunistëve, pastaj, kryesisht, në vetën e parë, Zef Pllumi, flet për tmerret, torturat, dhunën që ai ka përjetuar nën atë sistem. Faji i vetëm i tij ishte se gjithmonë e thoshte atë që mendonte, nuk iu dorëzua asnjëherë sistemit. Edhe pas gjithë torturave fizike e psikike, nuk arritën ta mposhtnin, t’ia ndryshonin idealet për një Shqipëri më të mirë.
Ai e mbajti premtimin e dhënë, ashtu sic e kishte porositur At Marin Sirdani, Zef Pllumi, “rrnoi vetëm për me tregue”. Vepra e tij është dëshmi e gjallë “se çka mbërrin me bâ njeriu në rasa të caktueme çmendunie”.
Edhe pas rënies së komunizmit, nuk i ndali përpjekjet e tij për një Shqipëri demokratike e perëndimore, ai ishte kritik i ashpër i shoqërisë shqiptare, edhe pse gjithë jetën e kishte çuar duke luftuar për ta, në mënyrat e tij, sic kishte ditur më së miri. Në një intervistë të dhënë, Pllumi pyetet se nga i vjen e keqja shqiptarëve. Ai u shpreh kështu:
“E keqja neve na vjen prej vetvedit, prej njani tjetrit, prej shqiptarëve. Na s`kemi dashuni njani me tjetrin, kemi inate, e mllef e kurgja tjetër…Kjo asht e keqja e madhe që na vjen…që na ka ardhë historikisht”, shprehet At Zef Pllumi.
Mënyra se si i shprehte kritikat ishte shumë e vecantë. Me një gegnishte të bukur, e një stil të këndshëm për t’u lexuar, bënte që çdo fjalë që thoshte të dukej artistike.
“Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë dhe mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut”, thoshte At Zef Pllumi.
Ky popull, thoshte ai, “edhe me i shtie opangën në gojë, s’bërtet”.
Në vitin 2006, u dekorua me çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Po ashtu, në atë vit, ai mori çmimin letrar “Penda e Artë” për veprën e tij “Rrno vetëm për me tregue”.
Vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në Romë të Italisë, dhe u varros më 30 shtator të vitit 2007 në Shkodër.