Dorën e kishte humbur në luftën e fundit, por shpresën për jetë asnjëherë.
Për të ngritur muret mbi themelet e ëndrrës së kamotshme, që nga vitit 2005 me pensionin invalidor paguan kredi mujore.
Mirëpo, vërshimet që përfshinë fshatin Llaushë në Skenderaj, bletarin Artan Vojvoda e kanë lënë pa bukën e gojës.
Artan Vojvoda, banor i Llaushës ka thënë se “Unë jam i plagosur, invalid me dokumente, pensionin e kam shti në kredi për me u merr me bletë, po kështu dashti Zoti edhe u shkatërru krejt. Të ardhura tjera nuk kam, çka kam pasur këtu më është shkatërru”.
Para disa muajsh uji ia mbyti 37 bletë, ndërkaq tash edhe më shumë.
Artan Vojvoda ka shtuar se “Tash diku veç bletë janë 57 copa bletë, është parku edhe dhoma, ku janë prishur të gjitha pajisjet për veprimtarinë time me bletët. Do të thotë çka kam punuar prej vitit 2005 deri më sot”.
Edhe në fshatrat tutje, furia e ujit përbiu çka gjeti mbi tokë. Ky është momenti kur nga fqinjët u shpëtua një familje pesë anëtarëshe në fshatin Tushilë.
Familja Imeri tash është zhvendosur në katin e dytë, për shkak se i pari është i pajetueshëm.
Kryefamiljari Hajrizi, i lumtur që shpëtuan të gjallë, tregon se i gjithë mundi i familjes ndër dekada u shkatërrua për pak minuta.
Hajriz Imeri, banor i Tushilës ka thënë se “Është dëmtu vetura, është dëmtu traktori, është dëmtu garazha, serra, koteci i pulave, pulat, një viq ka ngordhë në stallë që e ka zënë uji. Të mirat materiale ushqimore ato kanë shku kanë qenë në “shpajz” janë dëmtu krejt”.
Hajrizit i ka shpëtuar të paktën shtëpia, ndërkohë që Jetullah Imeri thotë se dolën gjallë nga valët e ujit vetëm me teshat e trupit.
Jetullah Imeri, Banor i Tushilës ka thënë se “Kemi qenë në katin e parë, nanën e kam 92 vjeçare, më së pari e kemi tërheq atë kur ka hy uji në oborr…Më ka bërtit vëllau hajde se po kërset shtëpija, dil jashtë. Kam kërcyer nga dritarja aty, ka nisë me më marrë dhe mua uji edhe ai më ka tërheqë prej dore”.
Bashkë me nënën që është në gjendje kome, 11 anëtarë të familjes janë zhvendosur në shtëpinë e vëllait.
Mbeturinat që kanë zënë dyert e oborret e shtëpive po pastrohen në mënyrë vullnetare. Ndërkaq komuna po përpiqet që të paktën ta bëjë të kalueshme urën për nxënësit e shkollës së fshatit.
Nga niveli qendror nuk u pa punë në teren të shtunën, por për vizita kanë qënduar deputetë të opozitës.
Ganimete Musliu, deputete e PDK-së ka thënë se “Duke parë baltën e madhe, duke parë mbeturinat, duke parë rrënimet e shumta siç po shihen, ndoshta ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të kishin mundë të paktën me ardhë me i largu këto mbetje që janë edhe këtyre qytetarëve me i’ua kthy pak shpresën”.
Përpos në Tushilë e Llaushë, vërshimet kanë prekur edhe fshatrat Aqarevë, Klinë e Kuqicë, por gjendje më e mirë nuk është as në qendër të qytetit.
Në terren për pastrimin e rrugëve janë aktivizuar ekipet komunale. Punën nga afër po e përcjellë edhe nënkryetari Sami Lushtaku, i cili ankohet se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga niveli qendror.
Sami Lushtaku, nënkryetar i Skenderajt ka thënë se “Ndihma e niveli qendror ka qenë zero, deri më tani. Zero. Kanë ardhë disa ministra, kanë ardhur në vizitë, ne i kemi falënderuar që janë ardhë po ndihma deri më tani është zero. Ministri i FSK-së ka ardhë na ka premtu sepse kemi 7 ura që janë rrënuar, prandaj na ka premtu ura mobile që t’i montojnë, por deri më tani nuk ka lëvizje”.
Lushtaku tregon se më shumë se 300 shtëpi janë të demoluara e të rrënuara, ndërkaq për vlerën e tërësishme të dëmeve thotë se pritet të hartojnë një raport të plotë gjatë së hënës.
Përpos komunës së Skenderajt nga vërshimet e ujit është prekur edhe Mitrovica, Klina dhe Istogu.