Ushtria e Forcës së Sigurisë së Kosovës të martën është furnizuar edhe me 15 kamionë multifunksionalë të firmës gjermane “RheinMetall”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur para medieve se 10 kamionë janë blerë me buxhetin e shtetit dhe 5 janë donacion.
Siç ka theksuar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, këta kamionë janë ndër më modernët, multifunksionalë, të dizajnuar për operacione logjistike dhe taktike.
“Karakteristikat e reja të këtij kamioni të pastër ushtarak janë shumë mbresëlënëse. Falë sistemeve të ndryshme të asistencës, HX2 u ofron ushtarëve dhe mjedisit civil siguri më të madhe në përdorimin e përditshëm të automjeteve dhe garanton dukshëm më shumë mbrojtje në kabinë”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Ai ka thënë se menaxhimi i flotës në këta kamionë gjithashtu bëhet më i thjeshtë dhe më efikas, ndërsa konfigurimi i përgjithshëm mundëson transportimin e municioneve në terrene të vështira.
“Forca e Sigurisë së Kosovës çdoherë e më e pajisur për të garantuar përmbushjen e misionit të saj kushtetues”, ka shkruar ministri Maqedonci.
Ndërkaq, në fjalën e tij pas inaugurimit të Qendrës Trajnuese për Siguri Kibernetike në Kosovë, kryeministri Kurti ka thënë se, përkundër sfidave nga fqinji verior, ata janë të vendosur të jenë të kujdesshëm dhe të mos frikësohen.