Udhëheqësi i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), Abdullah Oçalan, ka bërë një thirrje historike për paqe, duke kërkuar nga grupi i tij të dorëzojë armët dhe të shpërbëhet.
Kjo deklaratë, e bërë nga qelia e tij në burgun e Imralisë, që vjen pas një çerek shekulli burgim, mund të ketë ndikime të mëdha në stabilitetin e rajonit.
“Unë po bëj thirrje për dorëzimin e armëve dhe marr përgjegjësinë historike të kësaj thirrjeje”, ka thënë ndër të tjera Oçalan.
Oçalan, i cili është një figurë e respektuar nga lëvizja politike pro-kurde, por i urryer nga shumica e turqve, u arrestua në vitin 1999 nga forcat speciale turke në Kenia. Ai vazhdoi të ruante ndikimin mbi PKK-në, megjithëse mbetet e paqartë se sa autoritet ka mbi organizatën në ditët e sotme.
Në letrën e tij të fundit, e publikuar nga partia opozitare pro-kurde DEM, ai deklaroi se merr përgjegjësinë historike për të bërë thirrjen për dorëzim dhe shpërbërje të PKK-së. Kjo vjen katër muaj pasi një aleat i Presidentit Erdogan, Devlet Bahçeli, sugjeroi se Oçalan mund të lirohej nëse arrinte të ndalte luftën e PKK-së.
Thirrja e Oçalanit mund të ringjallë përpjekjet për një zgjidhje paqësore, të ngjashme me procesin e viteve 2013-2015, i cili dështoi dhe u pasua nga dhuna e ashpër në juglindje të Turqisë. Aktualisht, përplasjet me PKK-në janë të përqendruara kryesisht në Irakun verior.
Oçalan, i cili dikur udhëhoqi PKK-në nga Siria, ka qenë një figurë kyçe në politikën kurde për dekada. I konsideruar si terrorist nga Turqia, SHBA dhe BE, ai themeloi PKK-në në vitin 1978 me qëllimin për krijimin e një shteti të pavarur kurd. Pas viteve të luftës dhe përndjekjes ndërkombëtare, ai u kap dhe u dënua me vdekje, një dënim që më vonë u ndryshua në burgim të përjetshëm.
Thirrja e tij për paqe mund të sjellë një ndryshim të madh në konfliktin turko-kurd, por mbetet e paqartë nëse luftëtarët e PKK-së do ta ndjekin këtë thirrje.