Liberalizimi i vizave mund të sjellë mungesë të parave “cash” në Kosovë

Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Schengen. Sipas njohësve të ekonomisë në vend, liberalizimi i vizave, mund të sjellë mungesë të parave “Cash” në Kosovë, sidomos në pjesën e parë të vitit

Më një janar të vitit 2024, qytetarët e Kosovës mund të lëvizin lirshëm pa viza në shtetet e Evropës apo në vendet e zonës “Schengen”.

Udhëtimi pa viza jo vetëm që rrit mundësitë e shkëmbimit kulturor dhe turistik, por gjithashtu promovon njohjen e reciproke dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Por, specifikat e vendit tonë bëjnë që përveç aspekteve pozitive dhe dobive, të ketë edhe efekte negative. Sipas njohësve të ekonomisë në vend, liberalizimi i vizave mund të sjellë mungesë të parave “Cash” në Kosovë, sidomos në pjesën e parë të vitit 2024.

Foto ilustrim, pa viza në Zonën Schengen

Ekonomisti Astrit Ratkoceri, për Dukagjinin, ka thënë se kjo pritet të ndodhë për shkak të fluksit të madh të qytetarëve që do të udhëtojnë në vendet evropiane.

Por, sipas tij, kjo do të stabilizohet përsëri në periudhën e dytë të vitit 2024, kur paratë do të kthehen në Kosovë në formë të remitencave.

“Pjesa e parë e vitit të ardhshëm do të sjellë mungesë të ‘cash-it’ në Kosovë, pasi do të kemi një fluks të qytetarëve për të udhëtuar në vende të ndryshme, në të cilat, tani më nuk do të nevojitet viza, çfarëdo të jetë qëllimi i vizitave të tilla qofshin ato vizita turistike apo vizita për të kërkuar dhe realizuar kontrata pune pas të cilave do ta kenë më lehtë të pajisen me viza pune, këto do të ndikojnë që ata të realizojnë shpenzime jashtë dhe rrjedhimisht do të kemi mungesë të keshit brenda. Mirëpo, kjo do të fillojë të stabilizohet në periudhën e dytë të vitit kur një pjesë e këtyre mjeteve do të fillojnë të kthehen në Kosovë në formë të remitencave”, ka thënë ai.

Astrit Ratkoceri, ekonomist

Aspekt tjetër negativ, sipas Ratkocerit, pritet të jetë mungesa e punëtorëve dhe rënia e fuqisë blerëse.

“Te pjesa dërmuese e bizneseve do të ketë efekt negativ, duke ndikuar në mungesën e punëtorëve dhe në rënien e fuqisë blerëse. Kjo do të prekë më së shumti bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat do ta kenë të vështirë të krijojnë kushtet e nevojshme për të mbajtur stafin brenda kompanisë”, tha ai.

Po ashtu, sipas tij, mund të ketë rritje të çmimeve në mungesë të investimeve e rënie të numrit të banorëve.

“Do të shfaqen sfida nga më të ndryshmet, fluksi i madh i të rinjve dhe jo vetëm, të cilët dëshirojnë të gjejnë vende pune në vende të ndryshme të Evropës, do të ndikojë në rënien e numrit të punëkërkuesve, mungesa e të cilëve do t’i detyrojë ndërmarrjet që të krijojnë kushte më të mira pune, duke ofruar kështu edhe paga më të larta, e kjo rritje e kostos së bizneseve mund të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të tyre.

Do të ndikojë në rënien e numrit të banorëve, sidomos në qytetet e vogla ku do të kemi fuqi blerëse më të vogël, e kjo do të ndikojë edhe në investimet e jashtme direkte, prandaj po s’u reagua shpejt me një strategji afatgjate së pari për mbajtjen e të rinjve në vend, e pastaj të tentohet kthimi, sidomos i atyre që nuk ka shumë vite që kanë shkuar në vende të ndryshme, rrezikojmë që të shndërrohemi në një vend turistik ku çdo gjë funksionon vetëm gjatë sezonës verore, ndërsa jashtë saj pauzojmë”, tha ai.

Foto ilustrim, euro kesh, shumë kartëmonedha euro me vlera të ndryshme.

“Ikja nga vendi, problemi më i madh i vitit 2024”

Largimi i të rinjve nga vendi apo i fuqisë punëtore, do të jetë problemi më i madh që do të përballet Kosova në vitin 2024.

Kështu ka thënë për Dukagjinin, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu. Sipas tij, pakënaqësitë sociale, mungesa e stabilitetit politik e shumë faktorë të tjerë, kanë ndikuar që të rinjtë ta lëshojnë vendin.

“Nga Kosova nuk kanë ikur vetëm të papunët dhe të varfrit, por kanë ikur edhe ata që kanë stabilitet financiar. Ky është problemi më i madh që do ta përcjellë Kosovën edhe në vitin 2024”, ka thënë ai.

Ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu

Dhe, sipas Gërxhaliut, migrimi në Evropë mund të sjellë mungesë të parave të gatshme në Kosovë.

“Vetë fakti që e kemi këtë retorikë në debate dhe fakti që përveç mungesës së stabilitetit politik, inflacionit, ngritjes së çmimeve dhe shumë problemeve të tjera, kemi si me qëllim paralajmërim të luftës në Kosovë, kjo vetëm i shtyn qytetarët të largohen nga Kosova. Në aspektin ekonomik do të ketë pasoja për Kosovën, në rend të parë do jetë i goditur sektori privat, por edhe këta që dalin në Evropë do të kenë shpenzime, keshi apo paraja e gatshme e fituar në Kosovë, qoftë përmes kredive, huamarrjes, apo formave të tjera do të shpenzohet në Evropë, do të ndikojë në qarkullimin e parasë në Kosovë”, tha Gërxhaliu.

Foto ilustrim, migrimi

“Viti 2023 më i rëndë se vitet e tjera për punëtorët”

Jusuf Azemi, nga Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Sektorit Privat, thotë se viti 2023 ka qenë tejet i rëndë për punëtorët e sektorit privat.

Sipas tij, te punëtorët ka pasur rritje simbolike të pagës, por inflacioni ka bërë që kjo rritje të mos ndikojë në shportën e tyre ushqimore.

“Ka qenë edhe më i rëndë se vitet e kaluara, inflacioni ka qenë i lartë. Te punëtorët është bërë rritja simbolike e pagës, por nëse e marrim në krahasim shportën e konsumatorit në krahasim me vitet tjera, kemi një degradim. Kemi një përmirësim te pagat e punëtorëve, te kompanitë private, kurse te punëtorët që kryejnë shërbime shtetërore përmes kompanive private, aty kemi ende paga 230 euro, kurse faturat e rrymës i vinë 70 deri 100 euro, paramendo si mund t’ia dalin me këtë shumë”, tha ai.

Jusuf Azemi, nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat e Kosovës

Ai e fajëson Qeverinë e Kosovës për mosveprim karshi kërkesave të punëtorëve të sektorit privat.

“Qeveria është përgjegjëse, nuk janë respektuar gjendja e këtyre punëtorëve, këta mezi presin datën 1 janar të largohen nga vendi. Të gjitha qendrat e mjekësisë familjare i kemi me pagë 230 euro, punëtorët teknikë dhe fizikë që punojnë në UP që marrin pagë 250 euro. Nëse nuk veprohet, mbi 60% të punëtorëve teknikë dhe ata të sigurimit fizik në UP ‘Hasan Prishtina’ do t’i lënë vendet e tyre të punës për shkak të pagave të vogla”, tha ai.

Ndërkaq, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, tregojnë se në janar do të ketë numër të madh të fluturimeve, e rrjedhimisht do të ketë edhe numër më të madh të udhëtarëve.

Aeroporti Ndërkombëtarë “Adem Jashari” Prishtinë

Në këtë rritje të numrit të fluturimeve duket se ka ndikuar edhe liberalizimi i vizave që do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2024.

Liberalizimi i vizave mundëson udhëtim pa vizë për qëndrime afatshkurtër, si ato turistike apo vizita familjare disa herë brenda vitit, përderisa nuk tejkalohet numri i ditëve 90 brenda periudhës prej 180 ditësh.

Për të udhëtuar pa viza duhet:

Pasaportë biometrike;

Dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit;

Dëshmi mbi qëndrimin si rezervim i hoteli apo vendit ku do të qëndroni;

Detajet e udhëtimit, duke përfshirë rezervimin e biletës kthyese;

Nëse udhëtohet me veturë, dokumentet e nevojshme të veturës;

Dëshmi se keni mjete të mjaftueshme financiare;

Liberalizimi i vizave nuk ju mundëson punësimin, shkollimin apo studimet.

Po ashtu, në rast të shkeljeve eventuale dhe abuzimit të udhëtimit pa viza, pasojat personale përfshijnë; shqiptimin e gjobës financiare, shënim zyrtar në pasaportën dhe dosjen tuaj ku figuron shkelja në sistemin Shengen, si dhe ndalim të hyrjes në zonën Shengen deri në 5 vjet.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika