Policia njofton se i mituri në Fushë-Kosovë ka deklaruar rrejshëm se i janë grabitur para, pasi ishte sulmuar nga një i dyshuar.
“Policia në Fushë Kosovë, sot në orët e hershme të mëngjesit (04:25) është njoftuar se një person mashkull-i mitur, kishte shkuar për të kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK, pasi ishte sulmuar nga një i dyshuar te Stacioni Hekurudhor në F. Kosovë. Viktima është sjellë në Stacionin Policor në F. Kosovë, i njëjti është intervistuar dhe në deklaratën e tij thotë se është sulmuar një person i panjohur rreth 20 vjeçar dhe se kishte mbetur pavetëdije. Sipas viktimës atij i mungonin 50 euro e që dyshon se ia ka marrë sulmuesi. Lidhur me këtë është njoftuar prokurori kujdestar dhe është iniciuar rasti ‘Grabitje’”, njofton policia.
Policia njofton se pasi ka filluar ta trajtojë këtë rast, ka mbledhur dëshmi e prova, dhe se nga gjetjet është ardhur te përfundimi se viktima ka bërë deklarim të rrejshëm kur e ka raportuar rastin “Grabitje”.
“Nga hetimi i rasti është vërtetuar se viktima ka qenë në një aheng (dasmë) në Lagjen 29 në F. Kosovë. Aty ishte sulmuar nga i dyshuari. I ballafaquar me këto fakte viktima ka pranuar se ka inskenuar rastin e ‘Grabitjes’. Policia në koordinim me prokurorinë ka ri-cilësuar rastin në ‘Lëndim i lehtë trupor’ karshi të dyshuarit që kishte sulmuar viktimën. Kurse, ndaj ‘viktimës’ është iniciuar rasti ‘Deklarim i rrejshëm’. Të dyja rastet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt”, thuhet tutje në njoftim.