Ani se ka pak ditë, që Hamami i madh të Prishtinë, i është shtuar listës së aseteve në mbrojtje të përhershme, për Trashëgimi Kulturore, kjo hapësirë është e mbushur me mbeturina.
Ministri i Kulturës, Hajrullah Ceku, njoftoj se përvec Hamamit në kryeqytet pas vlerësimit dhe rekomandimit nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, listës së aseteve në mbrojtje të përhershme, i janë shtuar edhe 4 objekte të tjera, që janë në Gjilan e në Mitrovicë.
Këtij vendimi, i janë gëzuar qytetarët që shumë vite më parë, kishin frekuentuar këtë hamam, por thonë se kjo nuk mjafton, për të ruajtur trashëgimin.
“Mua më kujtohet, se si shumë i vogël, më kujtohet gjyshja më ka pruar këtu, jemi pastruar edhe ka qenë ditë të caktuar, kur meshkujt kur femrat edhe e ka përmbushur visionin e vet, edhe më vonë është lënë në harresë si objekt kulturor.. Po mendoj duhet me investu për me renovu me pas dicka kur vijnë edhe të huajt”, ka thwnw Gani Noberda – Qytetar
Përfshirja nën ombrellën e aseteve të trashëgimisë, është lajm i mirë, për aktivistët në Mitrovicë, pasi që në mbrojtje të përhershmë tashmë është edhe ish-hoteli Jadran në Mitrovicë.
Por, ata thonë se njëjtë duhet vepruar edhe me objekte të tjera.
“Kjo e plotëson të kaluarën historike të qytetit të Mitrovicës, dhe e plotëson identitetin e trashëgimis kulturore..Shpresoj që pas kësaj, të pasojnë edhe veprime të tjera, të mbrojtjes së përhershme të trashëgimisë kulturore që mund të hyj, Xhamia, Kisha e shtëpia e Sharmatës e dhjetra identitete të tjera kulturore”, ka theksuar Besart Peci – Aktivist
Nga Ministria e Kulturës, kanë thënë se ky është një hap i rëndësishëm, në fushën e mbrotjes së trashëgimisë dhe se këtë vit procesi i pasurimit të listës së trashëgimisë kulturore e mbrojtjen e përhershme, të tyre do të jetë prioritet.
“Me vendosjen e një aseti në mbrojtje të përhershme, plotësohet cikli nga përnjohja, dokumentimi, vlerësimi deri në mbrojtje. Për të arritur deri në këtë pike, gjatë viteve 2021-2022, kemi punuar me një dinamike të shtuar, në plotësimin e bazës sekondare ligjore, dhe tani asetet e vendosur në Listen e mbrojtjes së përhershme, kanë dosjen e kompletuar, me të gjitha fazat e nevojshme, vlerësimi i vlerave të trashëgimise kulturore, percaktimi i perimetrit, zonës mbrojtëse dhe regjimit mbrojtës. Ky proces do të vazhdoj edhe gjatë këtij viti me prioritet, ku do të vazhdojmë me dorëzim të dosjeve të kompletuara në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore”, ka deklaruar Ministria e Kulturës.
Listës së aseteve të mbrojtura janë shtuar edhe Varrezat Hebraike në Prishtinë, shkolla e muziktës ish “Saraj i Mustafë Pashës” në Gjilan e po në këtë qytet në këtë listë është futur edhe Atik Xhamia.