Edhe njëherë tjetër emri i Kosovës dhe i Serbisë u bë temë diskutimi.
Kësaj radhe jo në takime të sigurisë të Ballkanit Perëndimor, por në takimin e G7 të ministrave të jashtëm të vendeve më të fuqishme botërore.
Në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga G7, kërkohet zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, të zbatojnë plotësisht dhe pa vonesa të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën, dhe të normalizojnë raportet e tyre përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme, që do t’u lejonte të realizonin perspektivat e tyre respektive evropiane”, thuhet në deklaratën e tyre.
Në këtë takim të shteteve të fuqishme u kërkua që Serbia po harmonizojë politikën e saj me BE.
Normalisht që kjo deklaratë nuk kaloi në heshtjen e kreut të shtetit serb.
Aleksandër Vuciq e quajti “politikë pa parime” dhe “presione brutale” disa pjesë të deklaratës së G7-ës, ndërsa nuk u përmbajt duke shprehur mllefin e tij ndaj Gjermanisë e cila po përkrahe Kosovën në anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës.
Ndërkohë në Kosovë kritikë ka për qasjen e Albin Kurtit në çështjen e dialogut.
Valon Murati që dikur e udhëhiqte dikasterin e Diasporës thotë se i pari i Qeverisë nuk ka guxim të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë, sipas tij mos gatishmëri për të arritur marrëveshje mes palëve ka edhe BE-ja.
“Nuk shoh dinamikë edhe te BE. Krejt ky proces e ka një element të ri që mund të shpejtoj dhe është faktori amerikan që po dërgojnë sinjale të qarta se nuk duan status-quo dhe kjo mund ta ndryshojë dinamikën”, ka thënë Valon Murati – Lëvizja për Bashkim .
Kosova dhe Serbia në takimin e së premtes së javës që po lëmë pas, kanë dështuar që të nënshkruajnë marrëveshjen për targat.