G7 kërkon zgjatjen e armëpushimit në Gazë

Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) kanë mbështetur zgjatjen e ndalimit aktual të luftimeve në Gazë

Foto nga arkivi

Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) kanë mbështetur zgjatjen e mëtejme të ndalimit aktual të luftimeve në Gazë.

Përmes një deklarate për media, G7 tha se pauzat e reja të armëpushimit do të duhej të përfshinin edhe rritjen e ndihmës dhe lehtësimin për lirimin e të gjitha pengjeve të marra nga Hamasi – grupi militant palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Çdo përpjekje duhet të bëhet duke u siguruar mbështetja humanitare për civilët… Ne mbështesim zgjatjen e mëtejme të kësaj pauze dhe pauzat e ardhshme duhet të lejojnë që ndihma të rritet dhe të lehtësohet lirimi i të gjitha pengjeve”, u tha në deklaratën e përbashkët të ministrave të Jashtëm të G7-s.

Armëpushimi aktual në mes të Izraelit dhe Hamasit, grup radikal që udhëheq me Gazën, është armëpushimi i parë pas shtatë javësh luftë, që ka rrafshuar Rripin e Gazës dhe ka lënë të vrarë mbi 15.000 persona, sipas zyrtarëve shëndetësorë në këtë territor.

Lufta Izrael-Hamas u nxit pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke zënë peng afër 240 të tjerë.

Armëpushimi aktual parasheh lirimin e pengjeve nga Hamasi në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Izraeli.

Në deklaratën e G7-s, po ashtu, u mirëprit lirimi i pengjeve nga Hamasi.

Hamasi ka liruar edhe 12 pengje të tjera më 28 nëntor, ndërkaq Izraeli ka liruar 30 të burgosur palestinezë. Armëpushimi aktual pritet të përfundojë të enjten.

Numri i përgjithshëm i pengjeve të liruara që nga e premtja – kur nisi armëpushimi – është 81, ndërkaq Izraeli ka liruar 180 të burgosur.

“Ne si G7 bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve”, u tha në deklaratën e G7-s.

Në deklaratë, po ashtu, u theksua “e drejta e Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij”, por, gjithashtu, u tha se është e rëndësishme “që të mbrohen civilët dhe të respektohen ligjet ndërkombëtare”.

Ministrat e G7-s thanë po ashtu se janë të përkushtuar për krijimin e një shteti palestinez përmes zgjidhjes me dy shtete. Ata kërkuan që të mos lejohet që konflikti të përshkallëzohet edhe më tej.

Në G7 bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian. /REL

 

 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika