Në një prej tregimeve më të mira të shkurta, shkrimtari Stefan Cvajg, të quajtur shahisti, një i burgosur lihet në qeli me vetëm një libër të 100 meçeve të shahut në mes të dy shahistëve. Meqenëse nuk ka libër tjetër ato i mëson përmendsh. Për pjesën tjetër ja u lë ta lexoni vetë. Shumë vite më vonë, në burgjet e Serbisë e njëjta i ndodhë edhe Albin Kurtit. E ka vetëm një libër të 100 meçeve në mes të dy shahistëve.
Në politikë kryeministri mendon si shahist. Këtu qëndron edhe avantazhi që ai ka ndaj të tjerëve. Mendon tre katër hapa përpara përderisa të tjerët fokusohen në lëvizjen e radhës.
Në shah termi gambit e që në kulturën e përgjithshme u popullarizua nga seriali Queen’s gambit është hapje apo lëvizje që sakrifikon figurën për pozicionim më të mirë më vonë në lojë. I jep ndjenjën kundërshtarit që po avancon por që e mashtron në dobësim të pozitës.
Nëqoftëse nuk po e sheh opozita, për kryeministrin zgjedhjet e 9 shkurtit janë gambiti, pra lëvizje, por jo aio finalja të cilën ai e sheh më së largu pas një viti deri në zgjedhjen e presidentit. Kryeministri po e sakrifikon pushtetin përkohësisht për të arritur në pozicionimin final të ballafaqimit “ne dhe ata”.
Edhe sulmi mbi mediat, gjyqësorin, si dhe situata në veri janë krejt në funksion të kësaj loje.
Çdo politikan i mendësisë së Kurtit (nuk po përmendi emra për të mos devijuar temën) e kërkon pushtetin mbi 51 për qind. Por nuk nguten ta bëjnë me një lëvizje. Mënyra më e lehtë e arritjes së potencialit është ambienti bipolar, ne dhe ata. Jo 5 fronte.
Meqenëse nuk arriti t’i bashkojë në opozitë, Kurti synon bashkimin e opozitës në qeveri ku ata bëhen një. Mundësisht me ndonjë akronim si PLANS.
Situata në veri është e paqëndrueshme dhe në sipërfaqe e mirë. Por ajo nuk i duhet Kurtit të qëndrojë. Mjafton deri në zgjedhje kur presioni ndërkombëtar do të vie mbi qeverinë e re e që nga qarqet ndërkombëtare do të shihet si “mundësi” pa destabilizuesin Kurtin. Veriu “në kontroll” do të kthehet në veri të rimarrë nga serbet dhe kjo do ta bëjë qeverinë target perfekt për Kurtin opozitar për sulmin “ne e çliruam, ata e kthyen Serbinë”.
Dërgimi i draftit të asociacionit në kushtetuese do të jetë target perfekt për Kurtin opozitar për sulmin “ne nuk e bëmë ata e realizuan”.
Rastet e korrupsionit të qeverisë Kurti dhe hapat e prokurorisë do të jenë target perfekt për Kurtin opozitar për sulmin “ata ishin të kapur dhe krejt sistemi kundër neve”.
Kapja e KPM do të jetë mjet perfekt për Kurtin opozitar për sulmin “mediat kanë shpifur”.
Ndërsa mandati një vjeçar do të jetë i shkurtër për opozitën për të realizuar programet ë tani i prezantojnë.
Pse një vjeçar? Sepse pas një viti zgjidhet presidenti. E për ta zgjedhur nevojiten 80 deputetë. Kurtiti nuk i duhen 61 deputetë. I duhen më shumë se 41 lojalë. Moszgjedhja e presidentit çon në zgjedhje.
Këtë kohë do ta shfrytëzojë për restaurim shëndetësor. Largimin e pikave të dobëta sa është në opozitë kur nuk dallohet. Lirimin nga barrat e Alternatives e listës Guxo. Përgatitja për lëvizjet e fundit drejt 51shit.
Opozita mund t’i gëzohet “rrëzimit” të Kurtit me 9 shkurt. Por ai gëzim nuk do të jetë i gjatë nëse nuk e merr parasysh krejt lojën dhe këtë Gambit të Kurtit. Në zgjedhje programet kanë pak rëndësi sa kanë konteksti, percepcioni dhe besueshmëria. Me këtë gambit Kurti do të fitojë, edhe pse në vitin 2026.