Deputetja Musliu, ka reaguar ndaj kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj, pasi të shtunën ai ka thënë se “disa eksponentë të PDK janë çuar peshë kundër fondit të Ushtrisë”.
Musliu përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se “disa eksponentë të AAK-së patën gabuar rëndë”, kur përkrahnin Vetëvendosjen.
“Disa eksponentë të AAK-së patën gabuar rëndë kur iu bashkuan Albin Kurtit me filikaqa në degjenerim të Parlamentit, bëjnë mirë mos t’i bashkohen edhe në degjenerim të ushtrisë së Kosovës”, ka shkruar Musliu.
Sipas Musliut, financimi i ushtrisë duhet të bëhet me ligj.
“Kosova është SHTET e jo OJQ. Financimi i Ushtrisë duhet të mbështet në ligj e jo në lëmoshë. E duam ushtrinë me standarde të NATO-s, STOP EKSPERIMENTEVE ME USHTRINË!”, ka shkruar Musliu më tutje.
Ndryshe, të shtunën, ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ndaj reagimeve të deputetëve të PDK-së, për Fondin për Ushtrinë e Kosovës.
Ai ka thënë se ndihma për ushtrinë është ndihmë për shtetin.
“Pa ushtri s’ka shtet, dhe ta ndihmosh ushtrinë e vendit tënd është detyrë patriotike, dhe shqiptarët e dijnë më mirë se kushdo tjetër këtë gjë”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ndër të tjera, ka shtuar se nuk e ka të qartë se çka po e pengon PDK-në, forcimi i ushtrisë apo Albin Kurti.
PDK ishte kundër mënyrës se si ishte krijuar fondi, duke thënë se, një fond i tillë, nuk krijohet me lëmoshë jashtë sistemit shtetëror dhe se ushtria nuk mbahet me “vitra.”
“Fondi i Sigurisë është një përpjekje tjetër e kësaj qeverie për t’u dukur sikur po bëjnë diçka, në kontekstin aktual të sigurisë, por në realitet, po tregon qartë se kjo qeveri nuk e kupton sigurinë kombëtare dhe aparatin e saj, dhe se si në të vërtetë financohet dhe funksionon ky sektor”, kishte deklaruar Besa Kabashi, anëtare e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës.
Qeveria e Kosovës kishte vendosur të themelonte Fondin e Ushtrisë së Kosovës në mars të këtij viti, mirëpo shuma e deritanishme nuk është bërë e ditur, gjë që ka zgjuar dyshimet se ato mjete të grumbulluara mund të keqpërdoren, pasi nuk po bëhen transparente.