Në bazë të anketës së bërë në dhjetor të vitit të kaluar, Instituti GAP ka vlerësuar se 28 për qind e qytetarëve të Kosovës do të emigrojnë gjatë tremujorit të parë të vitit 2024, pas liberalizimit të vizave, dhe se shumica e tyre janë të destinuara për në Gjermani.
Kështu është bërë e ditur në prezantimin e Raportit të Institutit GAP “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: Ndikimi në fuqinë punëtore”.
Në periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2022, nga Kosova kanë emigruar 338 mijë qytetarë, që përfaqëson 18.8 për qind të popullsisë së vendit.
Sipas këtij raporti, kushtet ekonomike shfaqen si arsye kryesore për këtë lëvizje, dhe sektorët më të prekur pritet të jenë ndërtimtaria, hoteleria dhe gastronomia.
Raporti, gjithashtu, vë në dukje se liberalizimi i vizave ka ndikuar në dinamikën e emigracionit, duke e ndryshuar atë krahasuar me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Këtë vit, pritet që 28 për qind e popullsisë së Kosovës të kërkojnë rrugën e emigracionit, duke pasur Gjermaninë si destinacion kryesor.
Blendi Hasaj, hulumtues në GAP, përmend se shkalla e emigrimit ka shënuar një rritje të ndjeshme pas vitit 2015, ndërsa kërkesat dhe lehtësimi i kritereve nga shtetet e BE-së kanë ndikuar në këtë tendencë.
“Nga viti 2012 deri në vitin 2022, nga Kosova kanë emigruar mbi 338 mijë qytetarë. Vetëm në vitin 2022 kanë emigruar 41,553 qytetarë dhe në këtë vit fuqia punëtore aktive është zvogëluar për 21,571 persona, ndërsa fuqia punëtore joaktive është zvogëluar për 14,698 persona. Në rast se nuk kemi një aktivizim të fuqisë punëtore joaktive, e cila është mjaft e lartë, aktualisht zëvendësimi i fuqisë punëtore së munguar nga imigrantë të huaj është i pamjaftueshëm. Në vitin 2022, 2,979 shtetas të huaj të cilët kanë emigruar në Kosovë për arsye punësimi, kanë zëvendësuar më pak se 14% të fuqisë punëtore aktive që nuk ishin më pjesë e tregut të punës”, ka deklaruar ai, transmeton EO.
Në lidhje me pasojat e kësaj prirjeje, Anisa Zogaj, hulumtuese e lartë në GAP, shton se sektorët e ndërtimtarisë, të hotelerisë dhe të gastronomisë, të tregtisë dhe të prodhimit pritet të preken më shumë nga emigrimi i forcave punëtore.
Sipas tyre, Gjermania mbetet destinacioni kryesor për emigrantët nga Kosova, me kushtet ekonomike si një ndër faktorët kryesorë që i ndihmojnë qytetarët të marrin vendimin për të emigruar.
“Sektorët që pritet të preken në masë më të madhe nga largimi i punonjësve në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme janë ata të sektorit të ndërtimtarisë (18.7%), hotelerisë dhe gastronomisë (18.7%), tregtisë (18.1%) dhe prodhimit (12.9%). Të njëjtit janë ndër sektorët me numrin më të lartë të të punësuarve dhe ku produktiviti i punonjësve është i lartë, mirëpo ku pagat vazhdojnë të mbesin të ulëta. Në këta sektorë pritet rritje e pagave krahasuar me sektorët tjerë. Në vitin 2023 vërehet të ketë pasur ndryshim të pagave në tregun e punës në Kosovë, ku rreth 27.4% e të punësuarve të anketuar kanë raportuar rritje të pagave”, ka deklaruar ajo.
Në vitin 2023, rreth 27.4 për qind e të punësuarve raportuan rritje të pagave në tregun e punës në Kosovë, por shumica e atyre që planifikojnë të emigrojnë janë persona me shkollim të mesëm.
“Rreth 45% e të anketuarve, në vitin 2023 ishin të punësuar me punë të rregullt (39.3% të punësuar në sektorin privat dhe 5.8% në sektorin publik). Arsyet ekonomike dalin të jenë mbizotëruese në marrjen e vendimit për të emigruar. Mbi 20% e personave që planifikojnë të emigrojnë kanë realizuar të hyra në muajin e fundit prej 301-450 euro, ndërkaq 32.9% nuk kanë realizuar fare të hyra. Shumica e qytetarëve që planifikojnë të emigrojnë janë persona që kanë të përfunduar vetëm shkollimin e mesëm (57.7%). Destinacionet kryesore të qytetarëve të cilët planifikojnë të emigrojnë janë Gjermania me 71.4%; ndjekur nga Zvicra me 11.7%; dhe Austria me 5.3%”, ka shtuar tutje ajo.
Përveç kësaj, raporti tregon se në vitin 2022, 2,979 shtetas të huaj të cilët kanë emigruar në Kosovë kanë zëvendësuar më pak se 14% të fuqisë punëtore aktive.