Instituti GAP ka publikuar një analizë të ndarjes buxhetore nga Qeveria e Kosovës për vitin 2023, duke e krahasuar me vitin 2022.
Pas analizës nga ana e tyre thuhet se problemet që e kanë ndjekur realizimin e buxhetit ndër vite janë përsëritur edhe në planifikimet për vitin 2023.
Këto probleme instituti në fjalë ka bërë të ditur se janë dinamika e ulët e realizimit të investimeve kapitale, mosndërlidhja e buxhetit me planifikimet afatmesme dhe afatgjate, përdorimi i madh i linjave buxhetore pa destinim konkret, neglizhimi i perspektivës gjinore.
Më 28 tetor 2022, Qeveria kishte aprovuar Projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2023, ndërsa, Kuvendi e aprovoi në lexim të parë më 17 nëntor të vitit 2023.
Sipas analizës nga ana e tyre, shpenzimet buxhetore në vitin 2023 parashihet të jenë rreth 3.2 miliardë euro, që shënon një rritje prej 464 milionë euro krahasuar me vitin 2022.
“Në Projektbuxhetin 2023 parashihet rritje më e shpejtë e shpenzimeve rrjedhëse se sa atyre kapitale krahasuar me vitin 2022. Tek kategoritë kryesore të shpenzimeve rrjedhëse, rritja më e madhe buxhetore reflektohet tek kategoria e subvencioneve dhe transfereve me rreth 205 milionë euro apo 23%”.
Po ashtu, në analizën e tyre thuhet se buxheti për paga dhe mëditje në vitin 2023 është rritur për 75 milionë euro apo 11% krahasuar me vitin 2022. Tek kjo kategori, rreth 65.1 milionë euro janë të buxhetuara si kontigjenca për paga, e të cilat janë të destinuara për të mbuluar koston shtesë të një ligji të ri të pagave.
“Me Projektbuxhetin 2023 është krijuar hapësirë për 1,435 vende pune shtesë, nga të cilat 910 për nivelin qendror dhe 525 për nivelin komunal. Tek niveli qendror parashihen 300 vende shtesë për Policinë e Kosovës, 108 pozita të reja për Kuvendin e Kosovës, nga të cilat 100 si shtaf mbështetës politik. Ndërkaq tek komunat, ajo e Prishtinës do të ketë rritje të numrit të lejuar të stafit për 86 punonjës, Komuna e Prizrenit për 44 punonjës”.
Tutje thuhet se nga gjithsej 810.7 milionë euro sa pritet të jenë investimet kapitale, 611.4 milionë euro (75%) janë vazhdim i projekteve të mëhershme dhe 199.3 milionë euro janë planifikuar për projekte të reja kapitale.
“Nga 199.3 milionë euro të projekteve të reja, rreth 26% (51.2 milionë euro) janë të alokuara për nivelin qendror dhe pjesa tjetër (148.1 milionë euro) për nivelin lokal”.
Nga 51.2 milionë euro investime kapitale të reja të nivelit qendror këtë vit, 22 milionë euro janë destinuar për projekte specifike komuna. Dhe sipas analizës së GAP, rreth 52% e kësaj shume (12 milionë euro) do të orientohet tek tri komunat e udhëhequra nga VV, komuna që mbulojnë 9% të territorit dhe 8% të popullsisë.
“Në Projektbuxhetin 2023 janë buxhetuar 75 milionë euro si kontigjenca për përballjen me krizën potenciale të energjisë. Përkundër asaj se buxheti për shëndetësi dhe arsim pritet të rritet në vitin 2023, prapë se prapë mbetet nën mesataren e BE për shpenzimet në këto fusha si përqindje e Bruto Produktit Vendor (BPV)”.