Gara: Përjetësisht mirënjohës Mbretit e Familjes Mbretërore, që ishin me popullin e Kosovës në ditët e dhimbjes së madhe

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të personat e pagjetu ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë për ditëlindjen e Mbretit Charles III. Charles kishte vizituar Kosovën dy herë, duke treguar angazhim ndaj çështjes së personave të zhdukur. Ai kishte takuar familjarët e të zhdukurve dhe ka premtuar të bëjë më shumë për këtë çështje.

Në pritjen e organizuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë me rastin e ditëlindjes së Mbretit Charles ka marrë pjesë edhe Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të pagjeturit së bashku me kolegët e ICRC dhe ICMP si dy organizata partnere, konsistente në angazhim dhe mbështetje të institucioneve dhe familjeve të personave të zhdukur.

Ai duke cituar ambasadën britanike në Prishtinë, ka thënë se Mbreti Charles III kishte vizituar Kosovën dy herë (si anëtar i familjes mbretërore, në atë kohë Prince Charles). 

“Vizita e parë ishte në ditët e para të pasluftës, në ditët e para të lirisë dhe vendosjes së paqes në vendin tonë, përderisa vizita e dytë ishte në vitin 2016 (muajin Mars). Në vizitën e dytë, falë edhe angazhimit të disa zyrtarëve të Ambasadës Britanike në Republikën e Kosovës, në agjendë ishte përfshirë edhe ‘çështja e personave të zhdukur (takimi me familjarët në një sallë të Kuvendit dhe homazhet pranë Përmendores dedikuar personave të zhdukur). Sigurisht pas disa ditë angazhimi të zyrtarëve të Ambasadës,  kolegëve të zyrës dhe institucioneve kompetente të shtetit të Kosovës përgatitjet për këtë aktivitet, përfshirë edhe të gjitha hollësitë e mundshme, ishin kryer me kohë. Megjithatë përkundër planifikimeve të hollësishme, në raste e organizime të tilla, për shkak edhe të ndjeshmërisë së çështjes, përballë dhembjes e rrëfimeve të familjarëve, tanimë ‘është bërë praktikë të devijohet (kushtimisht) protokolli”, ka shkruar Gara në Facebook.

May be an image of 6 people

Ai tutje ka vijuar se përveç takimin në një sallë të Kuvendit, edhe pas homazhit, Mbreti Charles (në atë kohë Princ Charles) ritakoi dhe qëndroi më gjatë me familjarët e shumtë te të zhdukurve me forcë, që ishin në shesh përballë ‘Përmendores dedikuar personave të zhdukur’.

“Kishte takuar familjarët e dëgjuara historitë e tyre tragjike. “Atë që dëgjova, më thyen zemrën”- kishin shkruar mediat britanike duke cituar Mbretin Charles (në atë kohë Princin Charles). Kishte premtuar që do të bënte më shumë, për këtë çështje e dhembje të madhe. Zotimet në Prishtinë do të duhej te përmbusheshin,  rrëfimet që të nguliten në shpirt e ngjethin trupin nuk mund të harroheshin, dhimbja e madhe që duhej të nderohej dhe kërkesat e drejta të familjarëve duhet të adresoheshin. Një vit më vonë (mars 2017) familjarët takuan sërish përfaqësuesin e familjes mbretërore, kësaj radhe Prince Charles i kishte pritur në ‘Pallatin Mbretëror’. Kësaj radhe takimi dhe vizita ishte me shtrirje (përfshirje) regjionale. Por edhe në këtë rast, Mbreti Charles (Princ Charles në atë kohë) kishte lidhjen e veçantë me Kosovën. Një nga fotografitë e postuara dhe që ishte ndarë në media nga Familja mbretërore, ishte takimi me znj Sevdije Frangu, familjaren nga Kaçaniku”, vijon njoftimi.

Tutje thotë se falë angazhimit të Mbretërisë së Bashkuar, një vit pas kësaj vizite, përkatësisht dy vite nga vizita në shtetin e Kosovës, në samitin e radhës në kuadër të Procesit të Berlinit, në samitin e mbajtur në Londër më 10 korrik 2018, , dy nga tri deklaratat e nënshkruara i dedikoheshin adresimit të trashëgimeve nga e kaluara (‘Deklarata e Përbashkët për Persona të Zhdukur’ dhe ‘Deklarata e Përbashkët për Krimet e Luftës’).

“Mbretëria e Bashkuar ndërvite mbetej një ndër avokuesit kyç të kësaj çështje, jo vetëm me donacionet dhe mbeshtetjet e shumta, por edhe përpjekjen e vazhdueshme  për të adresuar çështjen edhe në samitet e radhës, në kuadër të ‘Procesit të Berlinit’”.

Tutje thuhet se në të njëjtin muaj e vit, 12 ditë pas Samitit të Londrës, familjarja nga Kaçaniku Sevdije Frangu, ndërroi jetë (më 22 korrik 2018).

May be an image of 2 people and the Oval Office

“Tezja Sevdë siç e quanim dhe e njohëm të gjithë që patëm fatin të bashkëpunojmë më të, që patëm privilegjin të ishim krah saj në rrugëtimin për të vërtetën, ishte një ndër aktivistet më të zëshme në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së gjithë personave të zhdukur me forcë. Kishte qenë edhe një ushtare , gjithnjë krenare, e UCK-së.  Kishte vuajtur shumë. Dhe fliste pak për vete dhe dhimbjen e saj të madhe.  Krenaria nuk e linte të dorëzohej, kundrejt emocioneve që kaplonin kur rrëfente momentin kur kishte kuptuar lajmin për rënien e vajzës Dëshmores Emsale Frangu dhe 27 bashkëluftëtarëve të saj,  vrasjen e bashkëshortit dhe 31 martirëve/viktimave civile të vrarë në të njëjtën ditë, pra në 9 prillin e 1999. Me 9 prillin – ditën e dhimbjes dhe krenarisë së madhe. Që më vonë u shënua edhe si Dita e Kushtetutës, sinonim i garancisë të të drejtave të njeriut.

Ndihej krenare, meqë një jetë të tërë ia kushtoi ndriçimit të vërtetës dhe rrugëtimit për liri. Dhimbjen më të madhe e kishte humbjen e Babait, apo kur e mendonte se si ka ndërruar jetë. Meqë gjithnjë dyshonte, bazuar edhe në disa raste e të dhënat nga patologët ndërkombëtar të angazhuar në procesin e ndriçimit (zhvarrimi dhe identifikimit të kufomave), se babai ishte varrosur i gjallë nga forcat serbe, gjatë luftës”.

“Tri humbje të mëdha, që të këpusin shpirtin, që mund të ngushëllohej vetëm me ditët e lirisë. Por jo, edhe për tezen Sevdë liria nuk ishte e plotë. Mungesa e më të dashurve dhe kërkesa për të mbushur varrin e zbrazur ishte kërkesa e shumë familjeve anembanë Kosovës, përfshirë edhe Kaçanikun, ku këto familje te tezja Sevdë kishin gjetur shpresën për të mposhtur lotin. Ishte vënë në krye të shoqatës ‘Loti dhe Shpresa’ dhe ishte e do të mbetej ndër aktivistet më të zëshme në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së gjitha personave të zhdukur me forcë. Ishte gjithnjë e drejtpërdrejtë, tingëllonte e ashpër dhe e panegociueshme në qëndrime e argumente, por ishte edhe shumë e kujdesshme. Të gjithë që e kanë njohur më afër, e kujtojnë si njeriu që ishte lidhur aq shumë me natyrën për të qenë në shërbim të shoqërisë”.

Gara e ka përfunduar postimin duke i përkujtuar të gjithë ata që ranë për lirinë e atdheut.

“Përkujtimi është ngushëllim, është respekt, është homazh për të rënët e në veçanti për ata që ranë për lirinë e atdheut. Përkujtimi është ngushëllim edhe për të gjallët. Përjetësisht Lavdi, Sevdie Frangut! Përjetësisht falënderues për të gjitha familjet që dhanë aq shumë për lirinë e vendit”.

Po ashtu, Gara ka falënderuar edhe qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar.

“Përjetësisht mirënjohës Mbretit e Familjes Mbretërore, Qeverisë e popullit të Mbretërisë së Bashkuar që ishin me Kosovën e popullin e Kosovës, në ditët e dhimbjes së madhe dhe në ditët e krenarisë kombëtare”.

Ai ka thënë se në vitin 2018, në përkujtimin e 9 prillit ishte bashkë me përfaquesit e insitucioneve, “z.Gjetaj dhe z.Lluka e tezën, Sevdë”.

“Insistoi shumë të ktheheshim për drekë, në shtëpinë e madhe, në sofrën bujare. Sikur e dinte që ishte përvjetori i fundit që e shënonim/përkujtonim bashkë”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika