Gazetari i BIRN-it Kreshnik Gashi ka folur rreth “luftës” në distancë mes kryeministrit Albin Kurti dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Ky ping- pongu mes prokurorisë dhe qeverisë po duket jo i sinqertë ka thënë ai.
“Qeveria ish dashtë me kanë e gatshme që çdo informacion që e ka për korrupsionin me qu në prokurori ose të paktën edhe prokuroria me qenë e gatshme me shku me marr atje ku është, pra ta kemi parasysh në këtë rast kemi të bëjmë me një intervistim të dëshmitarit i cili nëse i rekomandon prokurorisë që e ka një ambient më të sigurt ku po donë me fol, le të shkon prokuroria le të merr”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kjo situatë është duke u shfrytëzuar për të arsyetuar dështimin e të dyja palëve në trajtimin e elementit kryesor e që është luftimi i korrupsionit ka thënë Gashi.
“Edhe Qeveria e Kosovës edhe Prokuroria Speciale janë fajtorë kolektiv për luftimin e korrupsionit në vendin tonë”, ka thënë Gashi në Debat Plus në RTV Dukagjini.
Ai tutje ka thënë se qeveria ka dështuar sa i përket ndërmarrjes së hapave strategjik në luftimin e korrupsionit.
“Kosova tash hyn në vitin e tretë që nuk ka strategji të miratume kundër korrupsionit. Kjo qeveri ka dështu me hartu një dokument strategjik me të cilin trajtohet dhe luftohet korrupsioni”.
Gashi tutje ka thënë se strategjia ish dashtë të bëjë një riformatim të të gjithë mekanizmave sa i përket luftimit të korrupsionit në vend përveç prokurorisë së shtetit. Qeveria nuk ka arritur me zhvillu një sistem të mirë të inspektoriateve ka thënë tutje ai.
“Kjo qeveri ka ardh në pushtet duke premtu vetingun në polici, doganë, ATK dhe inspektoriate, asnjëra prej këtyre veprimeve nuk janë bë dhe sot na e kemi një polici e cila nuk është e përfshime në luftën kundër korrupsionit, mirëpo është një polici e cila lufton në mënyrë retroaktive aferat e korrupsionit”, ka thënë ai ndër të tjera duke shtuar se edhe nga kjo qeveri është treguar një kontinuitet “në emërimin e militantëve politik në pozicionet udhëheqëse të ndërmarrjeve publike dhe të ndërmarrjeve shoqërore të cilat i kemi”.
Qeveria ka shumë për të fshehur sa i përket luftimit të korrupsionit duke kritikuar prokurorinë pasi që ajo “vazhdimisht është umbrell e lehtë për me kritiku për mungesë të performacës”.