Gjatë një seance në Kuvend, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka komentuar deklaratat e Mimoza Kusari-Lilës, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), mbi bisedën e saj me Milan Radoiçiqin.
Gashi e quajti këtë situatë “tmerrin e demokracisë në Kosovë” dhe akuzoi VV-në për përfshirje në një logjikë përbaltjeje.
Ai theksoi se ky është një kërcënim për përfaqësimin dhe demokracinë në vend, duke shtuar se është e paqartë se çfarë përfaqësojnë deputetët e VV-së kur liderja e grupit të tyre akuzon të tjerët.
“Ajo çka pamë dje është në vazhën e logjikës të cilën VV-ja e ka ndërtu si logjikë të përbaltjes, duke qenë vetë e zhytur deri në fyt me kriminel si Milan Radoiçiq. Ky është tmerri i demokracisë në Kosovë. Ky është tmerri i përfaqësimit në Kosovë. Çka përfaqësojnë këta deputetë kur kryetarja e grupit të tyre parlamentar del akuzon, para, prapa, anash, djathtas, majtas, pështynë në tana anët, dhe këta entuziazmohen”, ka deklaruar Gashi në Kuvend.