Arben Gashi nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka thënë se nëse tentohet që të cenohet pavarësia e autoriteteve lokale, komunave, atëherë nuk do të kalojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare në Kuvend.
Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ishte shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i cili tha se vendimi i ministrit të Financave Hekuran Murati për ndalje të të hyrave vetanake nuk ka bazë. Lidhur me këtë, deputeti Gashi ka thënë se ministri Murati po prek atë që është e paprekshme.
“Ministri i Financave me paaftësinë e tij të menaxhimit të çështjes po tenton që të prekë në mënyrë të drejtpërdrejtë atë që është e paprekshme, që është e rregulluar me Kushtetutën e Kosovës, me Ligjin për vetëqeverisje lokale, me ligjin për financa lokale që është ligj me rëndësi vitale”, ka thënë Gashi, gjersa ka theksuar se “Nuk do të ketë normalitet në këtë kuvend nëse tentohet të cenohet pavarësia e autoriteteve lokale, e komunave. Nuk do të kalojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare, ju garantoj në emër të grupit parlamentar të LDK-së se këtu nuk do të ketë normalitet më”.
Për këtë të fundit, ai ritheksoi se kishte biseduar edhe me grupet parlamentare të opozitës.
Fjalimi i Gashit pati edhe një kundërpërgjigje nga ana e ministrit Murati. Ai tha se nuk është problem i tiji “kontradikta” e LDK-së lidhur me këtë çështje.
“Nëse keni pas problem ta përktheni si grup parlamentar atë që keni menduar në të shkruar, është problemi juaj, mirëpo ajo çka është shkruar duhet zbatuar. Ne nuk mund ta shkelim ligjin e buxhetit. Në ligjin e buxhetit ose në nenin e amandamentuar nga ju thuhet që në të hyrat vetanake nga viti 2022 barten për vitin 2023…”, ka deklaruar Murati.
Nga ana e Gashit, kjo u cilësua si përgjigje për t’i thënë gjërat ndryshe. Ai ritheksoi se Murati nuk do të ketë shans të ndërhyjë në çështjen e lartcekur dhe se një tentativë e tillë është e kotë.