Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës ka thënë se propozimi nga radhët e LVV-së për të ndryshuar rendin e ditës në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës është i papranueshëm ngase të njëjtit po sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Në këtë seancë Gashi ka thënë se pajtohet se Kosovës i duhen kredi për zhvillimin e saj por, nuk pajtohet se duhet sjell sikurse nuk ka ndodhur asgjë.
“Pajtohem se i duhen, pajtohem se i duhen paret për tu zhvilluar por nuk pajtohem se duhet të bëhemi sikur s’ka ndodhur asgjë. Mbi 26 familje të Kosovës nuk i kanë marrë pagat për mbijetesë. Si mundemi të sillemi sikur s’po ndodhë asgjë? Çka është kjo sjellje kështu? Paguani arsimtarët, jepuni mundësi të jetojnë, pastaj hyjnë në normalitet votimet”, ka deklaruar Gashi.
Ky propozim u dha nga deputetja Arbëresha Kryeziu e cila thotë se kemi të bëjmë me rëndësinë e çështjeve ndërkombëtare dhe një çështje e tillë është urgjente duke marrë parasysh kohën e limituar të votimit të tyre.
Tahiri i PDK-së: Qeveria të reflektojë në lidhje me mësimdhënësit
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka thënë se nuk mund të ketë normalitet të punës në Kuvend kur ende nuk janë ekzekutuar pagat për mësimdhënësit.
“Në çdo iniciativë ju kemi mbështetur e ju kemi përkrahur, pa ne asnjë marrëveshje nuk do të mund të kalonte”, ka thënë ai.
“Duhet të reflektoni dhe të ekzekutoni pagat për mësimdhënësit në mënyrë që ne t’i kthehemi normalitetit”, ka vijuar ai gjersa ka shtuar se qytetarët jetojnë nga këto të ardhura.
Tahiri: Nëse nuk përfundon saga ndaj grevistëve, nuk do të ketë votim për marrëveshje
Po ashtu edhe shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Besnik Tahiri ka thënë se është e pamundur që Kuvendi të vazhdojë punën me lehtësi kur nuk ka normalitet.
“Ne po flasim këtu për marrëveshje ndërkombëtare, ndërsa mësimdhënësit janë pa paga”, ka deklaruar ai.
Ndër të tjera ai ka theksuar se nuk do të ketë asnjë marrëveshje nëse Qeveria nuk reflekton për ekzekutimin e pagave.
Para fillimi të pikave të rendit të ditës, Nasuf Bejta është betuar si deputet i ri i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së.
Bejta nga Lista Guxo e zëvendëson Vasfije Krasniqi e cila kishte dhënë dorëheqje më 21 shtator nga pozita e deputetes për shkaqe shëndetësore.
Ndërkaq për shkak të kundërshtimit të opozitës, pikat e rendit të ditës nuk kanë kaluar në miratim në kuvend.