Të martën ka filluar dëgjimi i dëshmitarëve në gjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, që filloi më tre prill të këtij viti.
Për këtë ka reaguar avokati Tomë Gashi, i cili ka thënë se Gjykata Speciale nuk është e Kosovës, pasi, siç është shprehur ai, kjo gjykatë nuk e respekton asnjë ligj të këtij vendi.
“Kjo Gjykatë, fatkeqësisht, ka qenë vetëm një ditë Gjykatë e Kosovës – më 3 gusht 2015, kur është votuar Ligji për të. Përveç qe nuk ka asnjë shenjë të Republikës së Kosovës, per t’i hyre në hatër Serbise, kjo Gjykate haptazi nuk po e respekton asnje Ligj te Kosoves, pasi qe sot eshte duke mbajtur gjykimin ne rastin e Z. Thaci, Veseli, Krasniqi, e Selimi”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Ai ka kritikuar Gjykatën për mbajtjen e gjykimit në ditë feste.
“Në këtë rast janë së paku, dy te këqija: që Gjykata Speciale po mban gjykim ne dite feste dhe që ne po festojme teper shume dhe po punojme teper pak”, ka vijuar ai.
Ndryshe, të martën me kërkesë të prokurorit të ZPS-së, seanca e dëgjimit të dëshmitarit të parë është mbyllur për publikun.
Dëshmia e tij pritet të zgjasë katër ditë, së pari do të fillojë prokuroria ta marrë në pyetje, dhe pastaj edhe mbrojtja e cila ka kërkuar 14 orë në dispozicion për kundërpyetje.
Dëshmitarja e parë, sipas prokurorit, ishte intervistuar në Prishtinë në dy raste dhe se njëjta në këtë seancë ka kërkuar që në ato intervista duhet të bëhen disa ndryshime.
Në këtë seancë është paralajmëruar se do të dëshmojnë dy dëshmitarë.