Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, tash pas 9 muajsh është paralajmëruar që do të ketë takim në mes tyre të mërkurën në Bruksel.
Analisti Dardan Gashi thotë se ky takim nuk ka këndvështrim dhe po ndodh në fazë zgjedhore.
“Nuk e shoh me perspektivë një takim që ndodh kur veç jemi në një fazë po them zgjedhore, pavarësisht që dështoi ideja e Kurtit me shpërnda Kuvendin para pushimeve verore, si të kthehet kuvendi ka edhe pak punë dhe e shkarkon vetën, sepse pas shtatorit, tetorit jemi në fazë zgjedhore,” ka thënë Gashi në “Debat Plus”.
E takimin e paralajmëruar në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, Gashi po e quan habi, pasi sipas tij, vetë kryeministri e po ashtu edhe presidentja shpesh përmendin që jemi pothuajse në “gjendje lufte me Serbinë”.
“Se pse Kurti pranon takim në këtë fazë me Vuçiqin është me u çuditë, sepse vazhdimisht ai dhe presidentja deklarojnë ka të sillen se jemi pothuajse në gjendje të luftës dhe atë me Serbinë natyrisht, dhe nuk ka pasur asnjë milimetër lëvizje prej Serbisë sa i përket atij sulmi terrorist në veri të Kosovës, qoftë një simbolikë që Serbia e pranon një lloj fajësie diku apo një kërkim falje apo bashkëpunim policor,” shtoi Gashi.
Se pse po pritet të ndodhë ky takim, Gashi thotë se ka diçka që fshihet prapa e që po e vë në “siklet” kryeministrin Kurti.
“Imagjinojeni të kishte ndodhë kjo në ndonjë qeveri tjetër që ndonjë kryeministër pas Banjskës si asgjë hiç të shkojë e të bëjë takim, këtu po del me të vertetë një pytje e madhe se çfarë fshihet prapa dhe çfarë sikleti mund të jetë zotëri Kurti që pranon, sepse në këtë fazë kur nuk e dijmë kush është komisari i radhës në Bruksel, pasi Lajçaku është i hendikepum e nuk e gëzon ndoshta besimin e qytetarëve.”
Gashi u shpreh i bindur se në këtë takim do të diskutohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Sa për deklaratat e njerëzve të tij që nuk do të flitet për Asocicacion, ato janë brockulla sepse e vetmja arsye që këto takime mbahen është asocicacioni asnjë arsye tjetër,” ka thënë Gashi./Dukagjini.