Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar pasi në seancën e Kuvendit të Kosovës nuk ka kaluar mocioni për të diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi.
Në një konferencë për media, Gashi ka thënë se pozicionimi i kryeministrit të vendit, Albin Kurti është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për interesin e vendit.
Ai ka thënë se shefi i Qeverisë ka lëvizur sa u përket qëndrimeve rreth dialogut Kosovës-Serbi.
Sipas tij, marrëveshja që po negociohet nuk është marrëveshje finale, nuk është ligjërisht e obligueshme dhe nuk ka garanci ndërkombëtare sa i përket njohjes reciproke.
“Pra këto ishin katër fakte për të cilat ne i morëm vesh sot zyrtarisht nga kryeministri të cilat e lëvizin në mënyrë drastike boshtin e politikës dhe qëndrimeve institucionale të Republikës së Kosovës, të cilat ne besojmë që e dëmtojnë shumë pozicionin e Kosovës me Serbinë. Ky pozicionim i kryeministrit mendojmë se është i dëmshëm dhe vlerësojmë se është i rrezikshëm për interesin e vendit. Në kërkuam dhe propozuam në mënyrë formale pas deklarimeve të kryeministrit se është i gatshëm të diskutojë çështjet në detaje”, ka thënë ndër të tjera Gashi.
“Në seancë pati zhvillime të paparashikueshme dhe deklarime të jashtëzakonshme nga ana e kryeministrit, i cili deklaroi se marrëveshja e cila po negociohet nuk është marrëveshje finale, nuk është ligjërisht e obligueshme dhe nuk ka garanci ndërkombëtare. Sa i përket njohjes reciproke këto ishin katër fakte për të cilat ne morëm vesh sot zyrtarisht nga kryeministri i Kosovës të cilat e lëvizin në mënyrë drastike nga boshti i qëndrimeve politike dhe qëndrimeve institucionale të Republikës së Kosovës, të cilat ne vlerësojmë se e dëmtojnë shumë pozicionin e Republikës së Kosovës në bisedime me Serbinë”.
Tutje, Gashi tregoi se edhe pse propozuan që të diskutojnë për dialogun, kjo nuk u votua nga deputetët e LVV-së.
“Propozuam që të kemi pikë të rendit të ditës çështje të karakterit sipas rregullores së punës së Kuvendit, por edhe të diskutojmë lidhur me bisedimet me Serbinë. Por e çuditshme është që kryeministri premtoi që është i gatshëm që të bisedojë, refuzoi duke kërkuar nga deputetët e LVV që të votojnë kundër këtij propozimi për ta trajtuar këtë çështje e cila ishte e karakterit urgjent, sepse këto katër fakte kanë qenë të paditura për opinionin publik dhe për politikën në Kosovë, që marrëveshja nuk është finale, dhe që nuk është ligjërisht e obligueshme me garanci ndërkombëtare dhe që nuk e ka pjesë të saj njohjen reciproke”, tha Gashi.