“Milan Radojçiq ka shtëpi dhe restaurant në veri të vendit, dhe Policia e Kosovës nuk ka shkuar për t’i kontrolluar”.
Kështu ka bërë të ditur gazetari hulumtues, Kreshnik Gashi, i cili ka thënë se deklaratat kërcënuese të Radojçiqit janë veprime kriminale të njerëzve që duan ta sfidojnë rendin dhe ligjin në shtete të caktuara.
Sipas tij, me anë të këtyre paraqitjeve, ai ka për qëllim të ngjallë frikë te qytetarët e Mitrovicës për ta mbajtur nën kontroll atë zonë.
“Është veprim tipik kriminal i njerëzve që duan ta sfidojnë rendin dhe ligjin, dhe duan ta krijojnë një sistem ku njerzit që mund të prekin bizneset dhe perandorinë e tij, ai mundohet të ngjallë frikë. Është mesazh për serbët që mund të kthehet kur don, dhe është mesazh për strukturën kriminale dhe që ta mbajë kontrollën në veriun e vendit”, ka thënë ai.
Sipas Gashit, institucionet e sigurisë së Kosovës është dashur ta trajtojnë më seriozisht kërcënimin e Radojçiqit dhe t’ia shtojnë edhe një vepër tjetër penale, siç është ajo e terrorizmit.
“Mesazhi i tij mundet me qenë, dhe e kanë bërë shumë kriminelë të tjerë, të tregojnë që munden të sillen në pjesë të caktuara të vendit pa u arrestuar nga policia. Në anën tjetër, deklarata e tij është dashur të trajtohet ende ma seriozisht nga institucionet tona. Është dashur që veprave penale t’u shtohet edhe një, ajo për terrorizëm sepse thirrjet e tij munden të shihen në atë drejtim”, ka thënë Gashi.
Tutje, Gashi ka thënë se institucionet kosovare nuk kanë hetuar rrjedhjen e parave të bizneseve të Milan Radojçiqit. Ai ka thënë se me Radojçiqin kanë bashkëpunuar edhe biznesmenë nga Kosova.
“Nuk kemi hetime të pastra për atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës prej kohës që ka nisur kontrabanda në atë zonë. Shumica e rrugëve të kontrabandës janë mbyllur, dhe njerëzve nuk u është konfiskuar pasuria, nuk janë dënuar, thjesht njerëzit që kanë bashkëpunu me ta sot janë biznesmen në Kosovë dhe Serbi dhe vazhdojnë të jenë të përndjekur prej organeve të ndjekjes”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se arrestimi i tij duhet të bëhet vetëm nga njësitë speciale, sepse sipas tij, nuk ka polic në veri të vendit që do të guxonte ta merrte ndonjë veprim ndaj tij, për shkak të fuqisë që ai e ka në atë pjesë të vendit. Ai ka theksuar dëshmitarët e paktë që kanë dëshmuar kundër tij për vrasjen e ish-politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq. Sipas tij, edhe ata që kanë dëshmuar janë sulmuar vazhdimisht.