Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se në mungesë të kuorumit të nënkryetarëve ka dështuar mbledhja e kryesisë së kuvendit.
Sipas tij, situata nëpër të cilën po kalon vendi është delikate, prandaj “nuk mund të sillemi sikur nuk po ndodh asgjë”.
“Ajo çfarë po ndodh atje është e ndjeshme, kërkon sjellje të vetëdijshme politike dhe veprime që janë në interes të vendit. Kryeministri i Kosovës për momentin duket se e ka një sjellje tekanjoze dhe të paarsyeshme sidomos me deklaratat të cilat i bën në drejtim të zyrtarëve më të lartë të vendeve partnere, të cilat janë të panevojshme, të paarsyeshme, të palogjikshme dhe absurde”, ka thënë Gashi.
Ai ka theksuar se “një kryeministër i tillë nuk i duhet Kosovës”.
“Sot më shumë se kurrë na duhet bashkëpunimi i palëkundur ndërkombëtar dhe komuniteti i brendshëm, të cilat janë dy elemente që duhet ta vendosim Kosovën në avantazh në situatën nëpër të cilën po kalojmë”, shtoi Gashi.