Gati 10 orë kanë kaluar prej kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë nisur në Ohër takimet ndaras dhe trepalëshe me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
E kjo, sipas analistit Ylli Hoxha, është një tregues i pengesave që po paraqiten dhe një përgatitje jo e mjaftueshme për këtë takim.
“Në qoftë se është pritur të këtë marrëveshje shpejt, vazhdimi i takimit deri në orët vona mendoj që është tregues i pengesave që paraqiten në to dhe mospërgatitje e mjaftueshme të takimit. Kemi pasur një fazë të konsultimeve, të cilat zotëri Lajçak dhe zotëri Escobar e kanë zhvilluar një diplomaci fluturuese në Beograd, dhe kjo nënkupton që një pjesë e çështjeve nuk janë zgjidhur deri dhe siç po duket nuk do të zgjidhë as brenda takimit”, ka thënë Hoxha në “Debat Plus”, i cili është duke u transmetuar me edicion special nga Ohri.
Sipas Hoxhës, procesi i dialogut ka arritur t’i pajtojë palët në thelb, duke theksuar se mosmarrëveshjet e paraqitura në këtë takim nuk do të penojnë procesin më tutje.
“Mendoj që ky proces në masë të madhe ka arritur t’i dakordojë palët në thelbin e procesit ka to të zhvillohet, shtyllat kryesore dhe nuk mendoj që mosmarrëveshjet e paraqitura sot apo nesër do të jenë të tilla që do të mund të penojë procesin në tërësi”, ka thënë Hoxha.