Gazetarët kanë bojkotuar konferencën e ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila me fillim tha se kjo konferencë ka për qëllim sqarimin për vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për pezullimin e licensës së televizionit “Klan Kosova”.
Pasi ministrja filloi të flasë, gazetarët larguan mikrofonat nga foltorja.
Ky bojkotim i konferencës së ministres Hajdari vjen pasi dikasteri që drejton ia pezulloi javën e kaluar veprimtarinë televizionit “Klan Kosova”.
Kjo ka nxitur reagime të mëdha në opinion.
Të hënën e 31 korrikut është mbajtur një protestë paqësore nga gazetarët në sheshet e kryeqytetit, kundër vendimit të Ministrisë së Tregtisë për pezullim të certifikatës së biznesit për televizionin Klan Kosova.
Ata kanë kërkuar nga Gjykata vendim të drejtë, ndërkohë kjo ministri ka publikuar dokumentacionin në gjuhën maqedonase, me të cilin pretendon se pronari i Klan Kosovës e ka paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë.