Në protestën e djeshme të Partisë Socialdemokrate (PSD) në Prishtinë kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, janë sulmuar edhe gazetarët.
Lidhur me këtë çështje, përmes një lidhjeje direkte në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka thënë se ishin të befasuar me shkallën e brutalitetit të Policisë së Kosovës kundër gazetarëve, kameramanëve edhe punëtorëve të tjerë medialë.
“Ne gjithmonë ju bëjmë thirrje gazetarëve që të identifikohen në mënyrë të qartë. Në raste të tilla, nëse kanë dhe duhet të kenë të gjitha mediat një jelek që shkruan “PRESS” ose emri i medias, në mënyrë që të identifikohen, të mos bëhen pjesë e turmave, pjesë e protestuesve”, ka thënë Rexha.
Rexha ka thënë se kjo është e papranueshme dhe e dënueshme, sjellje joprofesionale, e po ashtu dhe pengim i punëtorëve medialë të kryejnë punën e tyre.
“Mbrëmë u kemi bërë thirrje publike Inspektoratit të Policisë së Kosovës (IPK) dhe zyrtarisht do të kërkojmë nga ta dhe ata menjëherë kanë ndërmarrë masa për t’i hetuar, për t’i bërë hetimet e nevojshme, për t’i përdorur të gjitha videot, fotografitë, që tregojnë se disa prej policëve i kanë kaluar autorizimet e tyre dhe që ata të hetohen dhe të merren masa disiplinore ndaj tyre”, ka thënë kryetari i AGK-së.
Rexha është shprehur se ajo që ka ndodhur mbrëmë nuk guxon të përsëritet, sepse, sipas tij, është e patolerueshme.
Lexoni lajmet më poshtë për t’u informuar më shumë rreth protestës së djeshme:
- Eskalon protesta e PSD-së e OVL-UÇK-së, hedhin tym të zi e mjete shpërthyese (VIDEO)
- (VIDEO) Molliqaj dhe 5 aktivistë të PSD-së arrestohen nga Policia e Kosovës
- “Nuk e kuptoj pse po bëhen veprimet e tilla, mund të vijnë të diskutojmë”, thotë Trendafilova
- PSD-ja reagon pas arrestimit të kryetarit dhe të pesë aktivistëve të saj: Kërkojmë urgjentisht të lirohen aktivistët tanë