Bahri Cani, gazetar në Deutsche Welle, e ka përshkruar rrugëtimin dhe përvojën e tij si gazetar në raportimin e ngjarjeve në Ballkan prej viteve të 90-ta.
Duke qenë i pranishëm në luftërat në ish-Jugosllavi, ai ka kujtuar momente të rëndësishme të historisë së rajonit, duke filluar nga shpërbërja e lidhjes komuniste deri te lufta në Kosovë.
“Tekstin e parë e kam shkruar në vitin 1988. Ndërsa me gazetari serioze si profesion merrem që nga viti 1991. Ka qenë koha kur unë kam punuar në Beograd, por e konsideroj si një hambar të jashtëzakonshëm që kam raportuar për të gjitha luftërat prej fillimit të luftës në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Kosovë. Të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi, përveç asaj në Maqedoni, pastaj kam ikur në Gjermani, por në fillimet e luftës, kohën e krimeve, shkatërrimeve kam qenë atje dhe e konsideroj si një periudhë të rëndësishme, për shkak se kemi qenë në burimin e të gjitha të këqijave. Në kohën e shkatërrimit të lidhjes komuniste në atë kohë, ne pak a shumë e kemi ditur që në kohën kur u larguan delegacionet e Sllovenisë nga lidhja komuniste dhe u shkëputën, pastaj shihej që diçka nuk është në rregull… Ka pasur paralajmërime që vërtet diçka do të ndodhë. Si gazetar kemi mundur ta paramendojmë, por nuk e kemi ditur”, ka thënë ai në emisionin “Reload”, në TV Dukagjini, përcjell portali Dukagjini.
Gjatë punës së tij për Deutsche Welle, ai ka përjetuar sfida dhe momente të rrezikshme, duke përfshirë edhe burgun për shkak të aktivitetit gazetaresk në kohën e luftës në Kosovë.
“Për DW punoj prej vitit 1994, si korrespodent kam punuar atje. DW më ka dhënë shumë dhe i kam dhënë shumë. Një prej tyre është edhe burgu. Në kohën e luftës së Kosovës, sepse… unë dhe bashkëshortja ime e cila ka punuar për BBC, mbetëm me çanta në duar, kemi qenë në Beograd, dhe në atë kohë si gazetar shqiptar kam qenë i predestinuar mbase edhe të jem edhe spiun ose të gjitha idiotitë që mund t’i quaj një regjim i tillë i paskrupullt, kam qenë i arrestuar një kohë… e kam ditur se nuk jam i mirëpritur aty në ato momente. I kam shkruar të gjitha ato që kanë ndodhur në një libër që nuk është publikuar kurrë. Arrestimi, në fakt, ka qenë kidnapimi im ka ndodhur vetëm 7 ditë pas vrasjes së një gazetari të njohur në Beograd. Kanë reaguar të gjithë, sepse nuk është që kam qenë i panjohur”.
Ikja e tij nga vendi pas luftës ishte një vendim i vështirë, por që i dha mundësinë për të vazhduar punën në fushën e gazetarisë.
“U largova pas luftës, kufijtë ishin të mbyllur, ka qenë shumë e vështirë, jam larguar menjëherë pas luftës duke iu falënderuar DW, ku mora një kontratë pune dhe vazhdova atje”, shtoi ai.
Ai ka shprehur shqetësimin për gjeneratat e reja në Kosovë, që përballen me sfida të mëdha të punësimit dhe të arsimit, dhe thotë se autoritetet politike dhe ekonomike duhet të japin shpjegime për këtë realitet.
Në fund, ai shpreh shqetësimin për perspektivën e vendit, duke përmendur të dhënat gjatë vitit 2022, që tregojnë një largim të madh të popullsisë së Kosovës për shkak të mangësisë së mundësive për punësim.
“Gjeneratat e reja, por jo vetëm të rejat, ata që janë shkolluar dhe ky është një problem, por autoritetet politike qoftë ato më herët por edhe këto, duhet të japin shpjegimet e tyre pse këta njerëz po ikin dhe autoritetet ekonomike, sepse nëse një kamarier punon ka 12-14 orë dhe në fund merr një pagë kaq kaq… cila është perspektiva e tij? Pse dikush duhet ta përfundojë fakultetin dhe të ikë menjëherë jashtë… Është për keqardhje. Cila është perspektiva e tyre, për fat të keq shumë prej tyre nuk e shohin veten e tyre këtu, sepse jo vetëm dëshpërimi pas luftës, por ka ndodhur një dëshpërim edhe shumë më i madh kohët e fundit, sepse shumëkush i ka humbur shpresat se do të bëhet më mirë, dhe kjo është shumë e rrezikshme për një vend si Kosova, për një vend të vogël. Të dhënat që deri në fund të vitit 2022, sipas MPJD-së Kosovën e kanë lëshuar 54 për qind të popullatës. Fuqia kryesore punëtore është jashtë”, shtoi ai.