Gazetarja e REL-it Kurmasheva, e burgosur në Rusi, nominohet për çmimin e UNESCO-s

Ministria e Jashtme e Republikës së Çekisë ka thënë të premten se ajo dhe 22 vende të tjera e kanë nominuar gazetaren e Radios Evropa e Lirë (REL), Alsu Kurmasheva – e cila është duke u mbajtur nga zyrtarët e sigurisë në Rusi që 120 ditë – për çmimin e UNESCO-s “Guillermo Cano”, për Lirinë Botërore të Shtypit 2024

Ministria e Jashtme e Republikës së Çekisë ka thënë të premten se ajo dhe 22 vende të tjera e kanë nominuar gazetaren e Radios Evropa e Lirë (REL), Alsu Kurmasheva – e cila është duke u mbajtur nga zyrtarët e sigurisë në Rusi që 120 ditë – për çmimin e UNESCO-s “Guillermo Cano”, për Lirinë Botërore të Shtypit 2024.

I krijuar më 1997, ky është një çmim vjetor që e nderon një person apo një grup njerëzish të cilët japin kontribut të shquar për mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shtypit nëpër glob, pavarësisht “rrezikut dhe përndjekjes” me të cilat përballen.

Kurmasheva, gazetare me bazë në Pragë e REL-it me shtetësi amerikane dhe ruse, është duke u mbajtur në paraburgimin rus prej 18 tetorit nën akuzat për shkeljen e të ashtuquajturit ligji për “agjentët e huaj”.

Megjithëse ajo i ka kaluar rreth katër muaj në paraburgim, Departamenti amerikan i Shtetit ende nuk e ka shpallur si të jashtëligjshme paraburgosjen e saj, siç ka bërë me qytetarët e tjerë amerikanë të mbajtur në Rusi.

Një vendim i tillë do ta kishte rritur profilin e rastit kundër Kurmashevës, duke cilësuar si të motivuar politikisht. Dy qytetarë të tjerë amerikanë të mbajtur në Rusi – reporteri i Wall Street Journal Evan Gershkovich dhe ish-marinsi amerikan Paulhelan – janë shpallur si të arrestuar jashtëligjshëm.

Kurmasheva, e cila ka punuar për Shërbimin Tatar-Bashkir të REL-it për rreth 25 vjet, u largua nga kryeqyteti çek në maj të vitit të kaluar për një emergjencë familjare në vendlindjen e vet Tatarstan, njëren prej republikave të shumta të Rusisë.

Ajo ishte ndaluar përkohësisht më 2 qershor në aeroportin e Kazanit, ku ishte duke pritur që të kthehej në Pragë. Aty autoritetet ia konfiskuan të dyja pasaportat dhe telefoni mobil. Pasi priti pesë muaj për vendimin e gjykatës për rastin ndaj saj, Kurmasheva u gjobit me 109 dollarë për shkak se nuk e kishte regjistruar pasaportën e vet amerikane te autoritetet ruse.

Duke mos qenë në gjendje të largohet nga Rusia pa dokumentet e veta të udhëtimit, Kurmasheva u arrestua sërish në tetor dhe këtë herë nën akuzat se nuk ishte regjistruar si “agjente e huaj”. Dy muaj më vonë, ajo u akuzua për shpërndarje të dezinformatave për ushtrinë ruse.

Kurmasheva së fundmi shkroi nga qelia e burgut në qytetin rus, Kazan, se “qëndrimi në burg po bëhet dalëngadalë, por sigurt më i padurueshëm”.

Kurmasheva është një ndër katër gazetarët e Radios Evropa e Lirë – Andrey Kuznechyk, Ihar Losik dhe Vladyslav Yesypenko janë tre të tjerët – që aktualisht ndodhen në burg, mbi akuza që lidhen me punën e tyre. Grupet për të drejta dhe REL-i kanë bërë vazhdimisht thirrje për lirimin e të katërve, duke thënë se ata janë burgosur padrejtësisht.

Losik është blloger dhe kontribuues në Shërbimin bjellorus të REL-it, i cili është shpallur fajtor në dhjetorin e vitit 2021 mbi disa akuza, përfshirë atë për “organizimin dhe përgatitjen e veprimeve që cenojnë rëndë rendin publik”, dhe është dënuar me 15 vjet burgim.

Kuznechyk, redaktor i ueb-faqes së Shërbimit bjellorus të REL-it, është dënuar në qershorin e vitit 2022 me gjashtë vjet burgim, pas një gjykimi që nuk ka zgjatur më shumë se disa orë. Ai është shpallur fajtor për “krijim apo pjesëmarrje në një organizatë ekstremiste”.

Yesypenko, qytetar me shtetësi ukrainase dhe ruse, i cili ka kontribuar për Realitetet e Krimesë, një degë rajonale lajmesh e Shërbimit ukrainas të REL-it, është dënuar në shkurtin e vitit 2022 me gjashtë vjet burgim nga një gjyqtar rus në Krimenë e okupuar, pas një gjykimi prapa dyerve të mbyllura. Ai është shpallur fajtor për “posedim dhe transportim të mjeteve shpërthyese”, një akuzë që ai kategorikisht e mohon./REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika