Gazmend Hoxha është zgjedhur drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, të mërkurën e tetë marsit.
Në mbledhjen e Qeverisë është miratuar propozim-vendimi i Rekomandimit të kryeministrit për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Emrin e Hoxhës, e kishte dërguar për votim në Qeveri, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, informacion që ai e ka konfirmuar vetë për televizionin Dukagjini.
“Sipas ligjit, sipas kushtetutës unë kam dorëzuar një emër jo shumë emër jo shumë emra, të një eprori të lartë të policisë së Kosovës, për t’u zgjedhur në mbledhjen, e qeverisë… Po është emri i Gazmend Hoxhës, eprorit të lartë drejtorit të operacionit, që pres të votohet për drejtor të ri të policisë së Kosovës.”, ka deklaruar Sveçla.
Por, MPB-së iu deshën rreth 6 muaj, për të vendosur për emrin që do të marrë drejtimin e Policisë.
Kjo pozitë për këta muaj është udhëhequr nga ushtruesi i detyrës, Fehmi Hoti.
Policia e Kosovës mbeti me ushtrues detyre pas dorëheqjes së Samedin Mehmetit, i cili u largua nga ky institucion pas rastit të dhunimit të 11- vjeçares në Prishtinë.
Deri tani Hoxha mbante pozitën e drejtorit të Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës.