Gërvalla dënon fjalimin e Vuçiqit në OKB: Shtrembërim i historisë e shkelje e zotimeve ndaj BE-së

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dënuar ashpër fjalimin e presidentit të Serbisë në OKB, e cilin e ka quajtur shtrembërim të historisë dhe shkelje të zotimeve që i ka dhënë para BE-së “kur e ka pranuar Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka kritikuar ashpër fjalimin e presidentit të Serbisë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në të cilin, ai ka akuzuar Perëndimin se duke e njohur Kosovën “kanë shkelur brutalisht Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244”.

Gërvalla ka hedhur poshtë këtë dhe e ka cilësuar atë si të pavërtetë dhe tentativë për të deformuar historinë. Ajo ka rikujtuar faktet historike që lidhen me pavarësinë e Kosovës dhe ka theksuar se ky veprim i presidentit të Serbisë është një keqpërdorim i foltores së OKB-së.

Ministrja e Jashtme e Kosovës ka theksuar se pavarësia e Kosovës është një akt i legjitimuar ndërkombëtarisht, i cili është miratuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe nuk shkel ligjet ndërkombëtare.

“Me këto shpifje dhe përpjekje për shtrembërim të historisë, presidenti i Serbisë ka keqpërdorur rëndë foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Nëse ka një ngjashmëri mes agresionit rus në Ukrainë dhe rastit të Kosovës, ajo është vetëm te fakti se Rusia sot ka marrë në shënjestër Ukrainën dhe ukrainasit ashtu si Serbia më 1999 kishte marrë në shënjestër Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës. Kjo edhe është arsyeja pse Republika e Kosovës sot përkrah pa asnjë hezitim Ukrainën në luftën e saj të drejtë kundër agresorit kriminal rus. Kjo njëkohësisht duket qartë se është arsyeja pse Serbia vazhdon të mbështesë Rusinë e Putinit, siç e konfirmoi hapur dhe pa dilemë vetë presidenti i Serbisë në të njëjtin fjalim në OKB”, ka shkruar Gërvalla në një reagim në Facebook, të enjten në mbrëmje.

Ajo ka vazhduar duke thënë se Vuçiq me këtë fjalim ka shkelur edhe zotimet që i ka dhënë para Bashkimit Evropian “kur e ka pranuar Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, të datës 27 shkurt 2023, dhe Aneksin Zbatues të datës 18 mars 2023, neni 2 i së cilës përcakton qartë se raportet mes Kosovës dhe Serbisë do të ndërtohen bazuar në parimet e Kartës së OKB-së, posaçërisht atyre që ndërlidhen me barazinë sovrane të shteteve, respektimin e ndërsjellë të pavarësisë dhe integritetit territorial”.

Ajo ka gjithashtu theksuar se Republika e Kosovës mbështet Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus dhe ka bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Gërvalla gjithashtu ka kritikuar presidentin e Serbisë për mosrespektimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe ka argumentuar se Serbia është duke e bllokuar dialogun me Kosovën.

“Bllokues i dialogut është Serbia dhe Presidenti i saj, i cili ka refuzuar nënshkrimin e Marrëveshjes, ndërmjetësve ndërkombëtarë u ka thënë se e pranon, ndërsa publikut në Serbi i thotë se nuk e pranon Marrëveshjen e plotë. Ndoshta deklarimet e tilla të njeriut që ka qenë bashkëpunëtor i afërt i krimineleve të luftës Slobodan Milosheviq e Vojislav Sheshel mbase mund edhe të befasojnë dikë në Perëndim që vazhdon të besojë se presidenti aktual i Serbisë është një partner i mundshëm demokratik i BE-së dhe NATO-s. Por, kjo nuk është befasi për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj, të cilët e njohin shumë mirë ish-ministrin e propagandës të Milosheviçit, sot sundimtarin e Serbisë dhe aleatin e Putinit në Ballkan. E njohin edhe politikën që ai përfaqëson, e cila fatkeqësisht vazhdon të mbajë peng te gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, e para se gjithash edhe vetë popullin serb”, ka shkruar tutje ajo.

Ajo ka bërë thirrje për bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht BE-në dhe SHBA-në, që të dënojnë fjalët dhe veprimet e presidentit të Serbisë në OKB dhe t’i kujtojnë atij obligimet që ka marrë në Marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit.

Vuçiqi gjatë fjalimit kishte ndërlidhur çështjen e Ukrainës me Kosovën.

Sipas tij, “ajo që i ndodhi Serbisë më 2008, po i ndodh Ukrainës sot”. Ka akuzuar Perëndimin se me njohjen e Kosovës “po i mohojnë parimet që sot i mbrojnë” duke e ndërlidhur me pushtimin rus të Ukrainës dhe përkrahjen e Perëndimit për Ukrainën.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika