Gërvalla: Drafti për Asociacionin shqyrtohet vetëm nëse Serbia zbaton Marrëveshjen bazike

Ministrja Gërvalla thotë se qeveria do ta shqyrtojë draftin e BE-së për Asociacionin vetëm nëse Serbia e zbaton në tërësi marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, thotë se qeveria do ta shqyrtojë draftin e BE-së për Asociacionin vetëm nëse Serbia e zbaton në tërësi marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

Sipas saj, Kosova nuk mund të dërgojë draftin e Miroslav Lajçakut për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese si pjesë të ndarë nga marrëveshja e arritur vitin e kaluar, por vetëm si pjesë e pakos që parasheh edhe planin e detajuar të implementimit.

Si zgjidhje të duhur ajo e konsideron mundësinë që BE këtë draft ta dërgojë në Komisionin e Venecias për vlerësim.

Megjithatë, ajo thotë se janë të gatshëm të ulen me përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, në mënyrë që qeveria të hartojë një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Ne nuk e injorojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ai Asociacion me ato të drejta të fuqishme që i ka dhënë marrëveshja e vitit 2013-2015 me këtë qeverisje nuk mund të realizohet. Kjo ka qenë arsyeja që më vonë na ka ardhur një draft i ri i prezantuar nga BE. Mirëpo, ne edhe me draftin e ri të BE-së e kemi parë që me Serbinë gjatë bisedave bilaterale në Bruksel nuk kemi arritur sukses. Ne nuk mund të aplikojmë diçka, e cila është e paraparë në Bruksel si pjesë e marrëveshjes në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, nëse Serbia e refuzon. Ai i cili sot quhet drafti i Lajçak është gjithashtu e pamundur që institucionet tona të bëjnë çfarëdo që të jetë me atë draft. Ai është pjesë e një pakoje që parasheh marrëveshjen bazike, planin e implementimit dhe draftin e Lajçak”, thotë Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme kërkon nga aleatët ndërkombëtarë të Kosovës që të marrin parasysh propozimin e Kosovës për hartimin e një draft-statutit të asociacionit.

Mirëpo ajo shton se pas kësaj mosgatishmërie të aleatëve të Kosovës për të trajtuar këtë temë, tashmë as qeveria s’ka optimizëm për t’i hyrë kësaj rruge. Siç vlerëson ajo, nëse oferta e palës kosovare nuk merret parasysh, atëherë ajo nuk mund të jetë përjetësisht aty.

“Nuk mund të dërgojmë atë draft, pasi e para, draftet nuk dërgohen në Gjykatë Kushtetuese. Draftet duhet të kalojnë në disa etapa para se të dërgohen në Gjykatë Kushtetuese. Ky draft në këtë formë siç është i shkëputur nga pakoja në Bruksel nuk mund të procedohet nga qeveria asnjë hap. Jo vetëm që nuk mund të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, por nuk mund t’i nënshtrohet proceseve të tjera, pasi ky është pjesë e një pakoje, të cilën ne nuk jemi të gatshëm të shkëpusim. Çfarë kemi thënë ne, iu kemi propozuar partnerëve tanë që nëse ata konsiderojnë se me Serbinë në formë bilaterale mund të arrijmë sukses. Atëherë ne si qeveri e përgjegjshme kemi treguar gatishmërinë tonë që të ulemi me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë dhe të hartojmë një dokument i cili respekton rendin tonë kushtetues, por të njëjtën kohë plotëson disa nga kërkesat e komunitetit serb në Kosovë. Mirëpo, për këtë propozim tonin ende nuk kemi hasur në gatishmërinë e partnerëve tanë”, vijon Gërvalla.

Sipas saj, aleatët e Kosovës zyrtarisht asnjëherë nuk i kanë kërkuar Kosovës të hartojë një draft për asociacionin, por gjithmonë ka qenë në suaza të arritjes së një dakordimi në Bruksel.

“Nuk është e vërtetë se ka qenë ndonjëherë opsion i vetëm që Kosova të hartojë një draft dhe ta paraqesë. Gjithmonë ka qenë në suaza të asaj se çfarë po ndodh në Bruksel… Kjo është oferta jonë, nëse e shohim se në Bruksel ky dialog i dështuar deri tani nuk mund të sjell rezultate atëherë pse të vonohemi dhe të diskutojmë tema. Të them të drejtën, pas rezultatit që kemi pasur dhe mosgatishmërisë së plotë të partnerëve tanë për të trajtuar këtë temë nuk është shumë i madh optimizmi dhe gatishmëria e institucioneve tona për t’i hyrë kësaj rruge. Ne e bëmë ofertën tonë, por nëse oferta nuk merret parasysh, ajo mund të jetë përjetësisht”, thekson Gërvalla.

Gërvalla kërkon nga BE-ja që draftin e asociacionit ta dërgojë në Komisionin e Venecias për vlerësim.

“Meqenëse iu pëlqen ai draft le ta përcjellin në Komisionin e Venedikut dhe le të marrin verdiktin edhe të Komisionit të Venedikut. Por nuk është një çështje që mund të përcjellë Qeveria e Kosovës. Ai është një draft që nuk është i Republikës së Kosovës… Nëse është pjesë e pakos kryeministri ka shprehur gatishmërinë e tij në tetor të vitit të kaluar. Ka një logjikë pse duhet të jetë pjesë e pakos. Pakoja parasheh njohjen de-facto nga ana e Serbisë. Një dokument i tillë nuk është i shëndosh për vendin tonë nëse nuk e kemi njohjen de-facto e lerë më njohjen de-jure nga ana e Serbisë. Andaj ka logjikë pse ngulim këmbë. Një dokument, i cili na është sjell në suaza të marrëveshjes me Serbinë që e kemi bërë në shkurt të vitit të kaluar të trajtohet edhe në kuadër të asaj marrëveshjeje. Shkëputja nga ajo marrëveshje e këtij drafti nuk është pozitive për vendin tonë”, thotë ajo.

Duke folur për dialogun me Serbinë dhe ndryshimin e qasjes së Bashkimit Evropian pas zgjedhjeve europarlamentare, ajo thotë se është e rëndësishme se çfarë ka ndodhur me dialogun në tri vjetët e kaluara të mos përsëritet.

“E rëndësishme është se çfarë ka ndodhur me dialogun gjatë tri vjetëve të kaluar të mos përsëritet më. Jo vetëm që i është lejuar Serbisë vazhdimisht të minojë dialogun nga brenda, presidenti Vuçiq ka përdorur në vazhdimësi një gjuhë jashtëzakonisht negative ndaj Kosovës dhe përfaqësuesve të saj. Por është toleruar në vazhdimësi qasja negative ndaj procesit dhe prishja e procesit nga Serbia. Shpresoj që strukturat e reja në BE të kenë mësuar nga dështimi i dialogut gjatë këtyre tri vjetëve të fundit dhe të jenë më të përgatitura”, thekson Gërvalla./KP

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika