Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka kërkuar mbështetje të plotë për aspiratat euroatlantike të Kosovës gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian që u mbajt në Luksemburg.
Në fjalën e saj, Gërvalla theksoi rëndësinë e përshpejtimit të integrimit të Kosovës në BE dhe NATO, duke e cilësuar këtë si jo vetëm një interes për Kosovën, por edhe për stabilitetin dhe sigurinë në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës.
Ministrja Gërvalla përmendi tri kërkesa urgjente që sipas saj janë kyçe për përparimin e Kosovës dhe gjithë rajonit: Heqja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, përfundimi i procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe mbështetja për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ajo ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj dialogut me Serbinë, të lehtësuar nga BE-ja, duke kërkuar zbatim të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit të vitit 2023.
Gërvalla ka kritikuar Serbinë për refuzimin e vazhdueshëm për të respektuar marrëveshjen.
Në dritën e kërcënimeve të vazhdueshme nga Serbia dhe ndikimit rus në rajon, Gërvalla u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së të japin mbështetje të fuqishme për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe të kërkojnë llogaridhënie për sulmin e armatosur në Banjskë, të cilin e cilësoi si një akt të hapur agresioni që rrezikon sigurinë rajonale.
“Koha për veprim është tani. Mbështetja për Kosovën është investim për paqe, siguri dhe demokraci në gjithë Evropën”, ka theksuar Gërvalla.