I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi sot ka thënë se Serbia ka tërhequr letrën dërguar bllokut vitin e kaluar, ku shprehte rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se është e papranueshme tërheqja e pjesshme e Serbisë nga kjo letër duke thënë se Serbia nuk është tërhequr edhe nga mosnjohja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Gërvalla shpreson se gjërat do të ndryshojnë me njerëzit e rinj që do të vijnë në Bruksel për ta udhëhequr dialogun.
“Besoj se flet (Lajçaku) për tërheqje të pjesshme të saj letre, e cila megjithatë nuk tërhiqet nga mosnjohja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës – gjë që është qasje e papranueshme. Përshtypja që të krijohet në këtë proces të ashtuquajtur të normalizimit të BE-së në raport me Kosovën dhe Serbinë është se sa më shumë që normalizohet pozita e serbëve të Kosovës, sa më shumë që ata çlirohen nga ndikimi i bandave kriminale dhe mundohen t’i kthehen jetës normale e integrimit në shoqërinë tonë, aq më shumë largohet Serbia nga ai normalizim i ashtuquajtur i synuar në Bruksel. Kemi nevojë për rishikim të procesit në tërësi. Kemi nevojë që personat e rinj që vijnë në Bruksel të kenë strategji se ku çon procesi i negociatave dhe si do të udhëhiqet”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka theksuar se do të jetë i vështirë vazhdimi i dialogut me qasjen armiqësore të Serbisë.
“Ne kemi marrëveshje, që të gjitha palët t’i përmbahen zotimeve të tyre por deri tani, Serbia është shumë larg. Me këtë qasje vazhdimisht armiqësore dhe me gjuhë e cila nxit vetëm urrejtje e konflikte, do të jetë e vështirë vazhdimi i procesit në Bruksel. Duhet të presim për njerëzit të rinj që do të vijnë me shpresën se do të kenë vizion më të qartë se si mund të ruhet siguria e brishtë në rajonin tonë”, ka shtuar Gërvalla.
Ndryshe, sot, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se Serbia ka tërhequr letrën dërguar bllokut vitin e kaluar, ku shprehte rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Kryeminstrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhjetorin e vitit të kaluar i dërgoi BE-së një letër, përmes së cilës, Serbia shprehu rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur në Bruksel, dhe Aneksin për zbatim, të arritur në Ohër.
Në atë letër u tha, mes tjerash, se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.
Pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi në Prishtinë, Lajçak tha se letra është tërhequr dhe marrëveshja është ende valide. Ai po ashtu tha se kohë pas kohe ka deklarata që nuk ndihmojnë në zbatimin e marrëveshje.
“Jo, Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme dhe po punojmë në zbatimin e saj. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe po diskutojmë me Kosovën dhe Serbinë se si ta përshpejtojmë zbatimin”, tha Lajçak.