Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim me presidenten e Provincës së Kozencës, Rosaria Succurro, si dhe kryetarët e rreth 20 komunave të kësaj province, si dhe përfaqësues nga bota e biznesit dhe shoqëria civile.
Siç ka njoftuar MPJD-ja, gjatë takimit u diskutuan tema për bashkëpunimin e ardhshëm në nivel lokal.
Sipas njoftimit, tema kryesore ishte fuqizimi i bashkëpunimit në nivel lokal mes 150 komunave, duke përfshirë 21 komuna arbëreshe të Provincës së Kozencës dhe komunave të Kosovës në fushën e kulturës, arsimit, bujqësisë, turizmit dhe trashëgimisë kulturore.
Ministrja Gërvalla ka shprehur mirënjohje për miqësinë e fortë dhe të kaluarën e përbashkët mes dy komuniteteve, duke theksuar se pas zyrtarizimit të protokollit të bashkëpunimit mes Komunës së Pejës dhe Provincës së Kozencës do të ketë edhe më shumë hapësirë për angazhim më të madh në zgjerimin e bashkëpunimit edhe me komunat e tjera të Kosovës dhe Kalabrisë.
Ministrja gjithashtu ka theksuar vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për t’i përdorur të gjitha resurset dhe potencialet për të forcuar këtë bashkëpunim dhe për të zhvilluar më tej urat e bashkëpunimit.
“Ky vend është pikërisht ai që të bën të besosh edhe më shumë në lidhjen vëllazërore mes italianëve dhe shqiptarëve në të gjithë Ballkanin. Këtu mund të shohësh sa të forta dhe të thella janë lidhjet tona kulturore dhe evropiane”, ka thënë Gërvalla.
“Bashkëpunimi i Kosovës me Provincën e Kozencës, e cila përfshinë 150 komuna, prej të cilave 21 janë komuna arbëreshe, ka një rëndësi dhe domethënie të veçantë, duke shërbyer si një urë ideale që do mund të ndihmojë edhe në lidhjen e komunave të rajonit të Kalabrisë dhe Komunave të Republikës së Kosovës”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Ministrisë.