Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës,(MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, të hënën po qëndron për vizitë zyrtare në Bruksel. Ajo është ftuar në një drekë pune nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian(BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Këtë e ka konfirmuar për Portali D, kabineti i ministres Gërvalla.
Në këtë takim do të marrin pjesë 27 ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së, bashkë me ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor si dhe ministri i jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
Sipas njoftimit, në këtë takim temë e diskutimit do të jenë çështjet e zhvillimeve të fundit në Ukrainë, dhe ndikimi i tyre në politikat e sigurisë së shteteve të BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ndryshe, me përfundim të vizitës së saj në Izrael më 11 maj, MPJD ka informuar se Gërvalla ka udhëtuar në Bruksel, për të marrë pjesë në darkën e organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Tradita e mbajtjes së një darke të tillë joformale ishte nisur nga paraardhësja e Borrellit, Federica Mogherini.
Ajo takonte liderët e Ballkanit çdo vit në darkë joformale, për të diskutuar për të ardhmen e rajonit, dhe sfidat kryesore me të cilat përballej ky rajon.
Darka në Bruksel, Gërvalla thotë Kosova e gatshme për marrëveshje