Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se nga ajo çfarë është parë në Bosnjë dhe Hercegovinë përmes Republikës Serbe të instaluar atje, një bllokim i funksionimit të vendit, nuk do të ndodhë në Kosovë.
Kështu është shprehur ministrja e këtij dikasteri në një konferencë të përbashkët me homologun e saj kroat, Gordan Grlic Radman, të martën e nëntë majit, në Prishtinë.
Ajo ka theksuar se asnjë lloj formacioni, asociacioni, mekanizmi, nuk mund të implementohet në Kosovë, nëse e shkel së pari sovranitetin e vendit, Kushtetutën e vendit dhe funksionalitetin e Kosovës, sepse, siç thotë Gërvalla, këto tri elemente janë bazë për funksionimin e një shteti.
“Sa u përket konsultimeve politike, ato janë një instrument, një mekanizëm tradicional me të cilin shtetet ulen dhe në mënyrë të përqendruar diskutojnë çështjet e tyre bilaterale. Konsultimet politike në mes të dy vendeve janë bilaterale dhe nuk kanë të bëjnë aspak me çështjen e dialogut. Çështja e modeleve të cilat ne kemi zgjedhur, trajtuar apo shqyrtuar, ka të bëjë me një fakt që ne në vazhdimësi të procesit të dialogut nga ndërmjetësi Lajçak na janë prezantuar disa modele evropiane si modele të mira, si shembuj të mirë se si mund të rregullohen çështjet e pakicave në një vend”.
“Të gjitha modelet që kemi parë kemi konstatuar që Kushtetuta e Kosovës, minoriteteve të veta u jep shumë më tepër të drejta sesa të gjitha modelet që kemi parë, pasi, qoftë në përfaqësimin në kuvend apo në nivelin lokal, është një element unik që ua jep Kushtetuta e Kosovës pakicave serbe në Kosovë. I kemi trajtuar modelet, i kemi parë cilat janë ato të cilat për ne nuk vijnë në shprehje, sepse shkelin vijat e kuqe që kemi në këtë dialog. Çfarë kemi parë në Bosnjë e Hercegovinë përmes Republikës Serbe të instaluar atje, një bllokim të tërësishëm të funksionimit të shtetit nuk ka për të ndodhur në Kosovë”.
Gërvalla ka potencuar se “ky rajon mjaft e ka një Republikë serbe, nuk ka nevojë për një të dytë, edhe një që e ka është tepër”.
“Prandaj modelet që na janë paraqitur, paraqesin elemente të pranueshme në suazat e rregullimit tonë Kushtetutës dhe prej tyre do të përpiqemi t’i zgjedhim elementet më të mira, që në të njëjtën kohë forcojnë funksionimin e shtetit, por edhe aty ku pakicat mund të shohin elemente ku do të ketë nevojë për ndonjë përmirësim”, ka thënë ajo.
Po ashtu, Gërvalla ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të njëjtat kritere të vlejnë edhe për Serbinë.
“Përfaqësuesit e të cilës bëjnë sikur nuk kanë qenë të pranishëm as në Bruksel kur kanë thënë po, as në Ohër kur kanë thënë po, por sikur gjithmonë duhet ta nisim bisedën nga zeroja”.
Në anën tjetër, ajo ka kërkuar më shumë seriozitet nga Serbia në këtë proces.
“I ftojmë të jenë të tillë nëse janë të interesuar që procesi të përfundojë me sukses”.
Kur Gërvalla pyetet se kur do të mbahet një konferencë për media bashkë me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të diskutuar lidhur me çështjen e ambasadorit, ajo ka thënë se tashmë Berishaj e ka dhënë qëndrimin e tij para anëtarëve të Komisionit parlamentar.
“Unë në marrëveshje edhe me MPJD, ambasadori Berishaj i ka dhënë përgjigjet e tij në Komisionin parlamentar. E kam ndjekur me vëmendje atë seancë, e kam parë që nuk ka mbetur asnjë pyetje dhe miratimin e anëtarëve të komisionit të deklaratave të ambasadorit Berishaj gjatë asaj seance dhe më habit fakti që të njëjtit që kanë qenë të pranishëm në atë seancë, dalin dhe deklarojnë diçka krejt tjetër për një seancë që është parë publikisht. Në një moment kur do të ketë më pak angazhime bilaterale, do t’ju thërrasim një ditë dhe do të përgjigjemi pas asnjë lloj problemi dhe refuzimi”.