Në kuadër të vizitës në Izrael, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, vizitoi të martën Parlamentin e Izraelit, ku është takuar me përfaqësues të ndryshëm të Knesset-it.
Gjatë takimit me Ram Ben Barak, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje, ministrja Gërvalla ka theksuar në mënyrë të veçantë marrëdhëniet mes Izraelit dhe Kosovës, duke bërë një përshkrim të mundësive dhe nevojës për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të tyre në të ardhmen.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës (MPJD), gjatë bisedës së tyre janë theksuar edhe sfidat gjeopolitike të krijuara nga lufta ruse në Ukrainë dhe rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor.
Ministrja Gërvalla ka zhvilluar takim edhe me Zeev Elkin, ministër i Jerusalemit dhe Trashëgimisë, me të cilin kanë diskutuar për një përfshirje më të mirë dhe efektive të gjeneratave të ndryshme të diasporës dhe mërgatës.
Gërvalla ka deklaruar se Kosova mund të përfitojë shumë nga përvoja e gjatë dhe mbresëlënëse e Izraelit në këtë fushë.
Gjithashtu, ministrja Gërvalla është takuar edhe me Ali Salalha, Kryetar i Grupit të Miqësisë Izrael-Kosovë. Me këtë rast Ministrja Gërvalla ka theksuar nevojën e një bashkëpunimi më të dendur parlamentar mes Knesset-it dhe Kuvendit të Kosovës.
Delegacioni i Republikës së Kosovës të martën e përfundoi ditën me një pritje në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem, ku morën pjesë përfaqësues të ndryshëm të ekonomisë dhe shoqërisë izraelite, si dhe përfaqësues të diasporës shqiptare në Izrael.
Përfaqësuesja e Republikës së Kosovës në Izrael, Ines Demiri, vuri në pah frymën shumë miqësore të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Kosovës dhe theksoi potencialin e madh të bashkëpunimit në të ardhmen.
Delegacioni i Republikës së Kosovës gjatë vizitës treditore në Izrael ishte i shoqëruar edhe nga ambasadorja e Izraelit për Kosovën, Tamin Ziv dhe drejtori për Ballkanin pranë Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Dani Oryan.
Në përmbyllje të vizitës në Izrael, delegacioni i Republikës së Kosovës ka vizituar edhe qendrat historike dhe arkeologjike të Jerusalemit.
Ndërkaq, nga Izraeli, zëvendëskryeministrja Gërvalla ka udhëtuar për në Bruksel dhe do të marrë pjesë sonte (e mërkurë), në darkën e organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell
Këtë për Portalin D, e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka thënë se në këtë darkë joformale do të diskutohet për të ardhmen e rajonit dhe sfidat kryesore me të cilat po përballet.