Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ka pritur në takim delegacionin nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, i cili po qëndron në Kosovë, në një vizitë faktmbledhëse, në kuadër të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla e ka njoftuar delegacionin nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për zhvillimet e fundit në Kosovë si dhe progresin e shënuar në fushën e demokracisë, të sundimit të ligjit, të të drejtave të njeriut dhe të të drejtave të komuniteteve pakicë, progres ky i vlerësuar lart edhe nga organizatat e pavarura ndërkombëtare.
Në vazhdim, ministrja Gërvalla ka theksuar nevojën e anëtarësimit të plotë dhe të shpejtë të Republikës së Kosovës në organizatën kryesore të kontinentit për të drejtat e njeriut, me të cilën Republika e Kosovës ndan vlera të përbashkëta.
“Duke shprehur gatishmërinë dhe vendosmërinë e Institucioneve të Republikës së Kosovës për të vazhduar në fazat vijuese të anëtarësimit, Ministrja Gërvalla nënvizoi edhe përfitimin e drejtpërdrejtë që qytetarët e Kosovës, pa dallim, do të gëzonin nga mekanizmat mbrojtës të kësaj organizate, me theks të veçantë qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Takimi i ministres Gërvalla me delegacionin nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës është njëri nga takimet e shumta që ajo dhe zëvendësministri Ahmeti kanë zhvilluar si përpjekje për të rritur përkrahjen e plotë dhe të palëkundur deri tek anëtarësimi përfundimtar në këtë organizatë.
“Vizitës fakt-mbledhëse të raportueseve nga dy Komitetet përkatëse të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, znj. Azadeh Rojhan dhe znj. Béatrice Fresko-Rolfo, i parapriu vizita e znj. Bakoyannis si raportuese kryesore për përgatitjen e Opinionit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, e cila qëndroi në Kosovë në fillim të muajit nëntor”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se pas votimit të opionionit të Bakoyannis në njërën nga sesionet plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Komiteti i Ministrave ka vendosur se kur të ftojë Kosovën si anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës.