Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ëshhtë shprehur tejmase e mllefosur, ku sipas saj puna e saj dhe e ekipit është kthyer në fenomen nga portalet.
Ajo pretendon se reagimet e sajë ndaj portaleve janë të rralla, duke thënë se dokumentet janë vjedhur nga komunikimi i MPJD-së.
“Duke keqpërdorur dokumente të vjedhura nga komunikimi i MPJD-së dhe duke gënjyer rreth përmbajtjes së tyre, përpiqet të krijohet përshtypja që paska plasur me të madhe hajnia dhe keqpërdorimi nga ana e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, ka shkruar Gërvalla.
Gërvalla ka bërë thirrje ndaj portalit “Demokracia”, ku ajo ka shkruar se kjo çështje do të kalojë tek organet e rendit.
“Para se çështja t’i kalojë organeve të rendit, i bëj thirrje portalit demokracia.com dhe të tjerëve, të cilët pa asnjë verifikim paraprak thjesht vetëm e kanë kopjuar dhe botuar në portalet e tyre këtë shpifje, ta botojnë menjëherë demantimin e saj në të njejtën faqe ku edhe e kanë botuar shpifjen dhe të kërkojnë falje publike”, ka shkruar Ministrja.
Sipas saj kjo “shpifje” titullohet „Këshilltarët e Gërvallës për një orë në Terminalin VIP ia harxhojnë shtetit 1 mijë e 30 euro“, e cila është botuar nga portali “Demokracia”.
Ajo është shprehur se kjo është vetëm një gënjeshtër, ku këshilltarët e saj sipas portalit në fjalë kinse kanë harxhuar para të shtetit për të marrë shërbime në terminalin VIP, në aeroportin e Vjenës, por, sipas saj një ofertë e tillë nuk është pranuar asnjëherë dhe kostoja e shkaktuar është 0.00 euro.
“Këshilltarët e mi asnjëherë nuk marrin shërbime në terminalet VIP jashtë shtetit. Ata përkundrazi bien në sy për modestinë, mirësjelljen dhe zellin e tyre për të kryer sa më shumë punë të mira në një ambient aspak të lehtë”, ka shtuar Gërvalla.
Ndërkaq, ajo ka shtuar se as ajo nuk kalon në terminalin VIP, vetëm në raste të rralla kur bëhet vonë për takimet zyrtare, ku për këtë ajo është shprehur se ka dëshmitarë qindra udhëtarë nga Kosova dhe mërgata me të cilët ka pritur në rradhë çdo herë.
“Mbrëmë jam kthyer pas mesnate nga Vjena dhe kam kaluar, si të gjithë pasagjerët e tjerë, nëpër kontrollin e zakonshëm të pasaportave dhe pasi kam pritur valixhen time, kam dalur jashtë së bashku me të gjithë udhëtarët e tjerë. Në fakt, mbrëmë shërbimi VIP i aeroportit të Prishtinës dikë ishte duke e pritur tek shkallët e aeroplanit, por jo mua. Janë të tjerë, përfaqësues të partive të pushteteve të vjetra, të cilët i shfrytëzojnë këto shërbime”, ka shtuar ajo.
Ndërsa, në fund të këtij postimi ajo ka thënë se paranë publike nuk e ka shpërdorur asnjëherë, dhe me pozicionin që ka me përgjegjësi dhe dinjitet dëshiron të japë maksimumin për të çuar para institucionin që drejton për ta pozicionuar Kosovën çdo ditë e më mirë në arenën ndërkombëtare.
“Opozitarizmi dhe gazetaria nuk bëhen me gënjeshtra. Opozitarizmi i mirëfilltë dhe gazetaria hulumtuese serioze kërkojnë shumë punë dhe integritet”, ka shtuar Gërvalla.
Ndërsa në portalin “Demokracia” shkruhet “Që të kalonin përmes zonës VIP në Vjenë, shteti i Kosovës ka paguar 1030 euro për dy këshilltarë të ministres Donika Gërvalla. Madje, për njërin nga ta krejtësisht kundërligjshëm, pasi që është i jashtëm.”
Sipas tyre, “Kristian Dodaj dhe Benit Haxhosaj, këshilltarë të ministres Gërvalla, njëri politik e tjetri i jashtëm, e kanë blerë me paratë e shtetit trajtimin e VIP-it, duke shpenzuar 1 mijë e 30 euro nga buxheti i shtetit vetëm për të kaluar përmes Terminalit VIP në aeroportin e Vjenës.”
“Demokracia.com e ka siguruar ofertën që i është dërguar ambasadës për Haxhosajn dhe Dodajn, që ua ka lëshuar të gatshme për pagesë aeroporti i Vjenës më 5 maj 2022, vlefshmëria e të cilës ishte për shfrytëzim njëorësh të zonës VIP në këtë aeroport më 12 maj, nga ora 21:40 deri më 22:45.”
“Kjo faturë është paguar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe këtë e ka konfirmuar për Demokracia.com edhe vetë këshilltari i Gërvallës, Kristian Dodaj”, shkruhet në postimin e tyre.
“Dodaj e ka pranuar për Demokracia.com se ka udhëtuar përmes zonës VIP, përkundër që nuk ishte duke e shoqëruar ministren Gërvalla” kanë shtuar ata.