Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, teksa ka folur për situatën në veri të Kosovës, ka kritikuar Bashkimin Evropian, i cili sipas saj, “nuk po vepron”.
Në një intervistë për gazetën holandeze De Volkskrant, Gërvalla ka theksuar se “Evropa nuk ka mësuar asgjë nga pushtimi rus në Ukrainë”.
Kur ka folur për barrikadat që janë vendosur nga serbët në veri, ajo ka theksuar se ato i kanë vënë “bandat kriminale”.
“Mos harroni, e gjithë kjo vjen nga Beogradi”, thotë ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, teksa shton se “më kujtohen gabimet e bëra në vitin 1990 para luftës dhe kam frikë se ato po përsëriten tani. BE-ja shikon, por nuk vepron”.
“Serbia është një përfaqësuese ruse, por Evropa tani po përsërit të njëjtat gabime me Vuçiqin”.
Sipas saj, BE-ja, Britania e Madhe dhe SHBA-ja, duhet të vendosin sanksione ndaj oligarkëve kriminale serbë dhe të ngrijnë subvencionet dhe procesin e anëtarësimit në BE për Serbinë.
“Nga gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, tre janë tani në një situatë të paqëndrueshme, të cilat kanë një nxitës: Rusinë përmes Serbisë. Ne duhet të shohim pamjen më të gjerë”, thotë ajo.
“Presidenti serb, Vuçiq gjithmonë e ka mohuar këtë, por së fundmi ka thënë se ‘barrikadat do të hiqen’ nëse Kosova plotëson një kusht të rëndësishëm serb: formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kosova është me vendosmëri kundër kësaj, sepse ka frikë se do të tërheqë një lëvizje separatiste”, ka shtuar Gërvalla.
Përkundër thirrjeve ndërkombëtare që barrikadat në veri të hiqen menjëherë, ato vetëm po shtohen. Të martën serbët kanë vendosur dy barrikada të reja, njërën në Lagjen e “Boshnjakëve”, ndërsa tjetrën në Zveçan. Ndërsa pak para mesnatës të së mërkurës, është mbyllur pikëkalimi kufitar në Merdar.
Bllokimi i rrugëve në veri të Kosovës ka hyrë në ditën e 19.
Që nga e shtuna e 10 dhjetorit, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie për arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për të cilin, autoritetet në Kosovë thonë se i ka organizuar sulmet ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Forcat e policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë të dislokuara në veri.
Që nga 6 dhjetori, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë shënuar disa incidente të armatosura.
Sulme ka pasur edhe ndaj Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, të martën e 27 dhjetorit, Policia e Kosovës ka konfirmuar se është vendosur një barrikadë e re në Lagjen e “Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriut dhe një në Zveçan te vendi i njohur si Kërshi i Dudës.