Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka përshëndetur vendimin e Republikës së Kenias për të njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.
Gërvalla theksoi se ky vendim është një hap përpara në rrugën e Kosovës për të forcuar marrëdhëniet dhe lidhjet diplomatike me shtetet e tjera, veçanërisht në Afrikë.
“Mirëpresim vendimin e Republikës së Kenias për të njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës, një lajm i rëndësishëm që thekson përparimin dhe forcimin e pozitës sonë në skenën ndërkombëtare dhe në kontinentin afrikan”, ka shkruar Gërvalla.
Megjithatë, ajo ka tentuar të personalizojë këtë njohje duke e lënë të nënkuptohet se ajo dhe presidentja Osmani janë ato që e kanë mundësuar këtë njohje, duke e injoruar kontributin e Pacollit.
“Nga takimi i parë që kemi pasur në vitin 2021 bashkë me Presidenten Vjosa Osmani me ish-Presidentin Uhuru Kenyatta, kemi parë rrugën graduale drejt njohjes reciproke.
Mezi presim ndërtimin e marrëdhënieve të mirëfillta diplomatike me Republikën e Kenias dhe fillimin e bashkëpunimit mes dy shteteve tona në fusha të ndryshme”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Pacolli për njohjen nga Kenia: Kosova s’bëri gjë, Shqipëria më mbështeti – Serbia loboi kundër
Ndërkaq, ish-kryediplomati kosovar, Behxhet Pacolli, ka folur për këtë njohje në një intervistë për emisionin FIVE të Dukagjinit.
Pacolli ka theksuar se kjo njohje ka qenë rezultat i një angazhimi të përhershëm, duke përmendur faktin se ai ka vizituar Keninë rregullisht që nga viti 2009 dhe ka mbajtur lidhje të mira me administratat e kaluara.
“Është një notë verbale e vërtetë, e nënshkruar nga Presidenti i shtetit, si rezultat i vendimit të Këshillit të Ministrave dhe rezolutës së Ministrisë së Punëve të Jashtme. Njohja është produkt i një pune të gjatë që ka nisur me shpalljen e Pavarësisë dhe ka vazhduar prej atëherë. Unë, që nga viti 2009, kam vizituar rregullisht Kenian dhe kam mbajtur lidhje të mira edhe me dy administratat e kaluara. Asnjëherë nuk kam hequr dorë nga angazhimi im për të punuar në këtë drejtim”, ka thënë Pacolli në FIVE.