Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim homologun e saj nga Malta, njëherësh edhe kryesues i OSBE-së, Ian Borg.
Gërvalla, kryesuesit të OSBE-së ia ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit në projekte të reja.
“Pasi e urova homologun nga Malta për marrjen e pozicionit të ri si kryesues i OSBE-së, shpreha gatishmërinë e Republikës së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit në projekte të reja, të cilat si qëllim kanë demokratizimin, sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, ka shkruar Gërvalla.

Gjatë këtij takimi, ajo ka deklaruar se Kosova është shembull për demokratizim e sundim të ligjit.
“Gjatë takimit bilateral deklarova që Republika e Kosovës është shembull në rajon sa i përket demokratizimit, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe si faktor stabiliteti, andaj anëtarësimi i Kosovës në OSBE do të forconte edhe më tepër rolin e OSBE-së në arritjen e objektivave të saj në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar tutje ministrja.