Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, priti në takim delegacionin nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, i cili po qëndron në Kosovë, në një vizitë faktmbledhëse, në kuadër të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në një komunikatë për media nga MPJD-ja thuhet se Gërvalla njoftoi delegacionin nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për zhvillimet e fundit në Kosovë si dhe “progresin” e shënuar në fushën e demokracisë, të sundimit të ligjit, të të drejtave të njeriut dhe të të drejtave të komuniteteve pakicë.
“Në vazhdim, Ministrja Gërvalla theksoi nevojën e anëtarësimit të plotë dhe të shpejtë të Republikës së Kosovës në organizatën kryesore të kontinentit për të drejtat e njeriut, me të cilën Republika e Kosovës ndan vlera të përbashkëta. Duke shprehur gatishmërinë dhe vendosmërinë e Institucioneve të Republikës së Kosovës për të vazhduar në fazat vijuese të anëtarësimit, Ministrja Gërvalla nënvizoi edhe përfitimin e drejtpërdrejtë që qytetarët e Kosovës, pa dallim, do të gëzonin nga mekanizmat mbrojtës të kësaj organizate, me theks të veçantë qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në komunikatë.
Vizitës faktmbledhëse të raportueseve nga dy Komitetet përkatëse të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Azadeh Rojhan dhe Béatrice Fresko-Rolfo, i parapriu vizita e Bakoyannis si raportuese kryesore për përgatitjen e opinionit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, e cila qëndroi në Kosovë në fillim të muajit nëntor.
Pas votimit të Opionionit të Bakoyannis në njërën nga sesionet plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Komiteti i Ministrave vendos se kur të ftojë Kosovën si anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës.