Urdhri që i dha Agjencisë Kadastrale kryeministri Albin Kurti, që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që t’ia njohë të drejtën në pronë prej 24 hektarëve, Manastirit të Deçanit, ka sjellë shumë reagime e akuza ndaj tij.
Ishte ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, i cili ka thënë se ky veprim i kreut të ekzekutivit “më së paku quhet tradhti”. Sipas Abazit, Kurti i opozitë do ta pështynte në fytyrë Kurtin e pozitës.
“Me përkujtu masakrën e Mitrovicës dhe pas një ore me i fal tokë Kishës Ortodokse Serbe, duke shkelur mbi gjakun e aktivistëve dhe kauzat kombëtare, më së paku quhen tradhti… Po të ishte në opozitë Kurti sot do ta kishte pështyrë në fytyrë Kurtin në pushtet, do ta kishte djegur Prishtinën e aktivistët do t’i shtynte drejt vdekjes!”, ka shkruar Abazi në Facebook.
Ashpër ndaj Kurtit reagoi edhe analisti Bleron Baraliu, duke thënë se “gjenerata e gjenerata do të na mallkojnë votën që ia kemi dhënë këtij imbecili politik” dhe se “gjaku i Adem Jasharit e mijëra dëshmorëve na mallkon sot”.
Baraliu ka kërkuar që të shkohet sa më parë në zgjedhje.
“Kosova duhet të shkojë në zgjedhje një çast e më parë dhe populli t’ia tregojë vendin këtij hipokriti injorant siç ia ka pas treguar jugosllavistëve të para luftës e neovasalistëve të pasluftës. Në të kundërtën, le ta mbajmë në supe vulën e poshtërimit e tradhtisë, damkën e qyqarllëkut e dështimit”, ka shkruar nder të tjera Baraliu në Facebook.
E për gazetarin Lirim Mehmetaj, me këtë vendim, Kurti është shpërfaqur “lakuriq” dhe “libreza e fatit të tij tragjik ka filluar të mbushet me vulat e tradhtisë”.
“Albin Kurti urdhëron zbatimin e vendimit të Slobodan Millosheviç-it. Sikur të isha i pajisur me mëshirën e Nënës Terezë, që nuk jam, mbase do më dhimbsej mashtruesi i përmasave të papara në trojet shqiptare, Albin Kurti. Me urdhrin që dha sot për zbatimin e vendimit të Slobodan Millosheviç-it (siç e ka thënë vetë), ai tashmë shpërfaqet lakuriq ashtu siç e kemi prezantuar prej kohësh – një dezertor i pashembullt që gëlltit bash gjithçka që e ka thënë më herët. Libreza e fatit të tij tragjik ka filluar të mbushet me vulat e tradhtisë.
Me sot gjithashtu u caktua edhe pragu se deri ku shkon ky në përmbysje të vetës. As themelimi i Asociacionit e as diçka tjetër, nuk është as përafërsisht kaq vështirë i përtypshëm sa urdhri që dha sot për zbatimin e vendimit për tokat rreth Manastirit – pra ky do t’i bëjë të gjitha, ky do t’i pranojë krejt”, ka shkruar Mehmetaj në Facebook.
“Ky ka dezertuar dhe do të dezertojë në gjithçka, përveç vullnetit të tij për të dezertuar”, ka shtuar më tej Mehmetaj, i cili gjatë tërë ditës nuk i ka ndalur kritikat ndaj shefit te Qeverisë.
“Njësoj si për Manastirin e Deçanit, Albin Kurti nesër do të arsyetohet edhe për themelimin e Asociacionit”, ka potencuar analisti Imer Mushkolaj, duke shtuar se edhe themelimin e Asociacionit, “do të vazhdojë ta cilësojë të dëmshëm – ama do ta zbatojë”.