Gjashtë muaj pa drejtor të Policisë, MPB thotë se Komisioni po vazhdon me procedurat

Janë bërë 6 muaj qëkur ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij. MPB në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ka thënë se procedurat për emërimin e drejtorit janë duke vazhduar nga Komisioni. MPB thotë se ka caktuar me kohë komisionin që do të përzgjedhë drejtorin e ri

Më dy shkurt janë bërë saktësisht gjashtë muaj prej kur ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Që nga ajo ditë me Institucionin kryesor të sigurisë udhëheq ushtruesi i detyrës së drejtorit, Fehmi Hoti.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se procedurat për emërimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës janë duke vazhduar nga Komisioni.

Ndonëse ende nuk ka përfunduar si proces, MPB thotë se ka caktuar me kohë komisionin që do të përzgjedhë drejtorin e ri.

“Ministria e Punëve të Brendshme me kohë ka caktuar komisionin për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Komisioni po vazhdon me procedurat dhe në momentin që përfundojnë hapat e ndërmarrë siç parashihet me ligj do të njoftoheni në kohë edhe për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigje për Portalin Dukagjini.

Në konkursin e shpallur nga ky dikaster për pozitën e drejtorit, kanë aplikuar pesë kandidatë.

Sllagjana Stojanoviq, shefe e administratës në rajonin e Mitrovicës, besohet të jetë një nga kandidatët.

Nga ana tjetër, pozitën e kreut të këtij institucioni e synon edhe Gazmend Hoxha, drejtor i Departamentit të Operacioneve, që përballë ka edhe drejtorin aktual të Teknikës Kriminalistike, Bahri Shala.

Pos tyre, pjesë e kësaj gare është edhe Fatos Haziri, ish-udhëheqës i Departamentit Kundër Krimit të Organizuar dhe Granit Fetahu, drejtor për Sigurimin e Objekteve dhe Personaliteteve.

Anëtari i Komisionit për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, në një prononcim për Portalin Dukagjini, ka thënë se vonesa në përzgjedhjen e drejtorit të ri të Policisë së Kosovës, padyshim se ndikon në operacionalitetin e policisë si tërësi.

Ai ka theksuar se është paradoks që Qeveria nuk inkurajon një konkurrencë më kualitative për të parin e policisë.

Siç thotë Quni, kjo situatë krijon dyshime se autoritetet e qeverisë janë në kërkim apo rekrutim të drejtorit i cili do të jetë lojal ndaj një kauze partiake dhe i cili më shumë do të jetë komisar politik e jo i pari në profesion.

“Gatishmëria, avancimi i kapaciteteve, mbajtja e vitalitetit, zhvillimi i projekteve deri tek bashkëpunimi ndërkombëtar, janë çështje në masë të madhe nën autoritetin e drejtorit të policisë. Përderisa policisë i mungon i pari i saj, të gjitha këto çështje vihen në pikëpyetje”, ka thënë ai.

Anton Quni, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës

Sipas tij, interesimi i vogël për t’u sfiduar me këtë përgjegjësi si udhëheqës i policisë do të duhej të ishte një shqetësim për të gjithë, në veçanti për institucionet më të larta shtetërore.

“Aq më shumë kur duhet të menaxhohet me situata specifike siç ishte bllokimi i trupave të policisë në pikat kufitare në veri, dhe shtrirja e rendit dhe sigurisë edhe në atë pjesë”, shtoi ai.

Në anën tjetër, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, njëherësh anëtar i këtij komisioni nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se ky konkurs duhet të anulohet por jo të prolongohet procesi.

“Mendoj që është shumë numër i vogël, po ashtu kemi pasur hezitim të gradave të mëdha, të pozitave të rëndësishme, të personaliteteve që janë në policinë e Kosovës të aplikojnë në këtë pozitë. Mendoj që kjo tregon shumë pse, dhe mendimi im kryesor është që realisht hetimi i eprorëve të lartë të policisë ka të bëjë me ndërhyrjen që ministri i Brendshëm dhe stafi i tij kanë bërë në vazhdimësi prej që janë në pushtet“, ka thënë Qalaj për Dukagjinin.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj,

Mosemërimin e drejtorit të ri të policisë po e quan dështim të radhës së ministrisë, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.

Në një prononcim për Portalin Dukagjini, Ibishi ka thënë se mungesa e drejtorit të përgjithshëm të policisë ndikon dukshëm në çështjen e sigurisë.

Për të shqetësuese mbetet numri i vogël i aplikimit të kandidatëve.

“Po bëhen 6 muaj nga dorëheqja e ish-drejtorit dhe ky është dështimi i radhës në përzgjedhjen e parë, pasi shumë pak kandidatë kanë aplikuar për drejtor dhe nuk rezultoi i suksesshëm. Është një proces i paqartësuar, mendoj që është me rëndësi sidomos tash në këtë situatë të sigurisë që të zgjidhet drejtori i policisë dhe shqetësuese është mungesa e aplikimit të kandidatëve”, ka thënë Ibishi.

Nuredin Ibishi

“Mungesa e drejtorit të përgjithshëm të policisë ndikon dukshëm në çështjen e sigurisë. Kjo pasi nuk menaxhohet gjithë stafi i policisë dhe vetë menaxhimi dhe kompetencat dhe mandati për të udhëhequr është i rëndësisë së veçantë”, shtoi ai.

Po ashtu, Ibishi ngre dilemën se mund të shpallet konkursi i ri, me shpresën e rritjes së numrit të kandidatëve.

“Për shkak të vetë numrit të kufizuar të aplikimit dhe me siguri vetë ministri me stafin e vet nuk është i kënaqur me kushtet e përzgjedhjes, ndoshta mendohet për shpalljen e re për të cilën me shpresë mund të konkurrojnë numër më i madh i kandidatëve nga posti kryesisht nga grada e majorit, nënkolonelit, kolonelit atëherë mund të kemi përzgjedhje më kualitative dhe më të mirë”, përfundoi ai.

Kjo pozitë parasheh mandatin prej pesë vjetësh me mundësi të vazhdimit çdo pesë vjet nga autoriteti që e emëron.

Ndryshe, të martën e 30 gushtit të vitit të kaluar, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte bërë të ditur se ka pranuar kërkesën për dorëheqje nga drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Ai kishte thënë se kjo kërkesë nga Mehmeti erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11-vjeçares, për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika