Gjashtë raste të dhunës në familje në dy ditët e fundit

Raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës ka bërë të ditur se gjatë së martës dhe së mërkurës së 3 dhe 4 janarit janë raportuar, gjithsej, gjashtë raste të dhunës në familje

Fotoilustrim

Raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës ka bërë të ditur se në dy ditët e fundit, më 3 dhe 4 janar, janë raportuar gjithsej gjashtë raste të dhunës në familje.

Rastet e raportuara janë në komuna të ndryshme si, Gllogoc, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Malishevë dhe Mitrovicë.

Ndryshe, gjatë së martës së 3 janarit janë raportuar tri raste dhe tri të tjera janë raportuar të mërkurën e 4 janarit.

Ndër rastet e raportuara të mërkurën, ka qenë një i tillë që personi i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht motrën e tij ka pasur probleme psikike dhe është ndaluar në Forenzikën Psikiatrike, bëhet fjalë për rastin e raportuar në Prishtinë.

“Prishtinë 04.01.2023, 18:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga vëllai i saj i dyshuari mashkull kosovar me probleme psikike. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar për ekzaminim psikiatrik ku i njëjti është ndaluar në Forenzikën Psikiatrike për trajtim të mëtutjeshëm”, thuhet në raportin e PK-së.

Ndërkaq, në rastin e raportuar gjatë ditës së djeshme në Suharekë, bashkëshorti ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij pas një mosmarrëveshjeje.

“Suharekë 04.01.2023, 15:33. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti pas një mosmarrëveshjeje kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare bashkëshorten e tij. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit është bërë bastisja në shtëpinë e të dyshuarit por nuk është gjetur asgjë e dyshuar. Pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, bëhet e ditur në raportin e Policisë së Kosovës.

Po në këtë ditë, në Gllogoc është raportuar një rast i dhunës në familje, por që i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt.

“Gllogoc 04.01.2023 – 12:30. Viktima femër kosovare ka raportuar se ka pasur një mosmarrëveshje me të fejuarin e saj pasi viktima ka dashur të largohet nga shtëpia ku ata jetojnë, por nuk e ka lejuar i dyshuari. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e PK-së.

Ndërsa, rastet e raportuara të martën e 3 janarit kanë qenë në komunën e Prizrenit, Mitrovicës dhe Malishevës, dy prej të cilave personat që dyshohet se kanë kryer veprën janë ndalur nga Policia, ndërsa një prej tyre është liruar.

Në dy prej këtyre rasteve, të dyshuarit kanë ushtruar dhunë ndaj bashkëshorteve të tyre, ndërsa, në njërin rast, babai ka qenë i dehur dhe dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij.

“Prizren 03.01.2023 – 23:40.  Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. Malishevë 03.01.2023, NN. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovare bashkëshorti i saj. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Mitrovicë 03.01.2023 – 20:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, bëhet e ditur në raportin e Policisë së Kosovës.

 

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika