Autoritetet në Greqi njoftuan të hënën se gjashtë persona u vranë të qëlluar me armë zjarri, në qytetin bregdetar Artemida, në afërsi të Athinës. Televizioni publik grek ERT tha se policia e cila shkoi në vendngjarje dyshon se bëhet fjalë për një përleshje bandash dhe se personat e vrarë “janë me origjinë shqiptare”.
Sipas deklaratës së policisë, trupat u zbuluar të hënën, në mbrëmje në qytetin e Artemidës, rreth 20 kilometra në lindje të Athinës. Policia nuk dha detaje të tjera për rrethanat e sulmit apo identitetin e viktimave.
Televizioni publik grek ERT njoftoi se policia dyshon se bëhet fjalë për një përplasje mes grupesh rivale të krimit të organizuar.
Sipas njoftimit të televizionit, të gjitha viktimat që u gjetën të vdekur, ishin meshkuj dhe u gjetën pranë dhe brenda një makine./VOA